Shkarkimi i Mauricio Pochettinos nga Tottenham ka krijuar disa polemika. Palët janë të ndarë, dikush do dëshironte që argjentinasi të vazhdonte me Spurs, por ka edhe nga ata që janë gëzuar. Sidomos jashtë Anglisë, aty ku trajneri ka admirues të shumtë.
Ai pritet të qëndrojë pushim këtë sezon, teksa dy janë alternativat kryesore për vazhdimin e karrierës. The Sun raporton se Barcelona dhe Bayern Munchen janë gati t’i dhurojnë pankinën për sezonin e ardhshëm.
Ernesto Valverde do të largohet në fund të sezonit dhe klubi katalanas pëlqen shumë Pochettinon. Një zgjedhje e tillë do të kënaqte edhe Leo Messin, i cili ka ndikimi të madh në ndryshimet që ndodhin në klub.
Opsion mese i mundshëm janë dhe kampionët e Gjermanisë. Klubi bavarez nuk po nxiton të gjejë pasuesin e Niko Kovac. Deri në fund të sezonit do të qëndrojë në stol Hans-Dieter Flick. Vera mund të sjellë akordin me Pochettinon, i cili është gati të nisë pushimet për momentin. /abcnews.al