Deputetja palestineze Khalida Jarrar, një nga figurat më të shquara të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), u arrestua sot nga ushtria izraelite në Ramallah, në Bregun Perëndimor.
Jarrar, 60 vjeç, u arrestua nga ushtarët e ushtrisë izraelite të cilët bastisën shtëpinë e saj në Ramallah “duke thyer derën në orën 5 të mëngjesit”, tha Ghassan Jarrar, bashkëshorti i saj për AFP.
Anëtare e parlamentit palestinez që nga viti 2007 Jarrar u lirua në shtator 2021 pasi kreu një dënim dy-vjeçar në një burg izraelit. Ajo u arrestua në tetor 2019 pas vdekjes së një vajze 17-vjeçare izraelite e cila u vra në një sulm në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në një deklaratë për shtyp, ushtria izraelite “kreu këtë mëngjes një operacion masiv arrestimi midis drejtuesve dhe anëtarëve të AP në Bregun Perëndimor”.
Ushtria izraelite konfirmoi në një deklaratë për shtyp se kishte arrestuar Jarrar, duke e identifikuar atë si kreun e PFLP në Bregun Perëndimor dhe duke shtuar se ajo ishte në kërkim për terrorizëm.
Të tjerë zyrtarë të lartë të organizatës janë arrestuar gjithashtu mëngjesin e sotëm.
Ushtria izraelite ka rritur operacionet e arrestimit në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori dhe fillimi i luftës në Rripin e Gazës, e cila filloi pas një sulmi të paprecedentë dhe të përgjakshëm nga Hamasi në tokën izraelite që shkaktoi 1,140 të vdekur, kryesisht civilë, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet izraelite.
Sipas Shoqatës së të Burgosurve, një organizatë që mbron të drejtat e të burgosurve palestinezë, rreth 4,700 palestinezë janë arrestuar në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.
/abcnews.al