E akuzoi se i mbylli biznesin në shenjë hakmarrjeje, Rama i përgjigjet Shehajt: Ke marrë zjarr…ndërtesa e paligjshme

schedule19:59 - 20 Tetor, 2022

schedule 19:59 - 20 Tetor, 2022

Deputeti demokrat Agron Shehaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend pasditen e sotme bëri me dije se policia i ka mbyllur biznesin dhe  ka sekuestruar ambientet ku operonte ky biznes, pa asnjë leje apo urdhër nga prokuroria.

Ai e quajti të gjithën një akt hakmarrjeje dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën. Sipas Shehajt, vendimi erdhi pas akuzave që deputeti demokrat ka bërë në sallën e Kuvendit.

Deklarata e Shehajt

Nga marsi i këtij viti, jam munduar të sjell në vemendje rastin flagrant të abuzimit me pushtetin, atë të resortit të ministres Xhaçka. Kërkova interpelancë me kryeministrin Rama për t’i kërkuar shpjegime, në lidhje me firmën e tij, në shpalljen investitor strategjik me mashtrim të burrit dhe kunatës së ministres. Dorëzova kërkesën për heqjen e mandatit të Xhackës, si pasojë e shkeljes së Kushtetutës. I kërkova shpjegime ministres së Turizmit për zvogëlimit e Parkut të Butrintit për të mundësuar resortin e kushëririt të Gjiknurit, dhe shpalljen e tij si investitor strategjik.

Dorëzova në Parlament një projektligj për ndalimin e kompanive offshore në kontratat publike. Dhe më në fund erdhi reagimi i Qeverisë, nëpërmjet dhunës dhe Policisë. Jam menduar gjatë, nëse duhet të perdorja këtë sallë për të denoncuar një akt të pashembullt, në një shtet demokratik dhe kandidat për anëtarsim në Bashkimin Evropian, përdorimin e shtetit dhe policisë për të sulmuar një kundërshtar politik. Por vendosa se po, sepse është pikërisht kjo sallë shkaku i sulmit. Gjithçka ka nisur nga këtu, nga denoncimet që unë kam bërë nga kjo foltore, për aferat e kësaj qeverie dhe ministrave të saj.

Këto foto tregojnë Policinë e Shtetit brenda ambienteve të biznesit tim. Pa asnjë urdhër nga Prokuroria, pa asnjë urdhër nga gjykata, pa asnjë urdhër dhe shkresë nga askush. Forcat e policisë kanë hyjnë brenda një ambienti privat dhe kanë nxjerrë jashtë punonjësit, duke i terrorizuar dhe pa asnjë mandat ligjor. Ky është shteti policor i Edi Ramës që nëpërmjet dhunës dhe përdorimit politik të policisë, do të intimidojë dhe t’i mbyllë gojën deputetëve të Opozitës dhe kutjdo që tenton të ngrejë zërin. Prej dy javësh biznesi mbahet i mbyllur me dhunë nga Policia dhe rreth 200 ekspertë IT nuk mund të shkojnë në zyrë.

Kryeministri Rama i është përgjigjur Shehajt me anë të një statusi në Twitter.  Rama shkruan se ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe gjithashtu ka dalë vendimi i konfiskimit.

Rama: Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!

Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit. Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel!

Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka!

/Abcnews.al/