Paskuqani u trondit nga një krim i rëndë në familje.
Erdet Çapoku ka qëlluar disa herë me një shkop bejzbolli gruan e vëllait të tij Enkeleda Çapoku. Krimi i rëndë dyshet se ka si motiv kryesor xhelozinë, pasi bashkëshorti i të ndjerës ndodhet pas hekurave i dënuar me 10 vite burg për trafik lëndësh narkotike.
Abc News ka mundur të sigurojë pamjet nga brenda banesës së viktimës, e cila jetonte bashkë me nënën e saj dhe vajzën. I pari që na shfaqet në banesën e viktimës është vëllai i Enkelejdës, Ervin Fjolla. Ai na fton brenda vendit të krimit për të parë nga afër atë që ka ndodhur.
Në katin e parë të godinës 3 katëshe ndodhen pjesëtarët e tjerë të familjes së gruas të ndjerë.
Ata pohojnë për ABC News se, Enkelejda kishte urdhër-mbrojtje dhe se autori duhet ti qëndronte larg 100 metra.
Në gjendje të rënduar nëna shton se Erdeti jo vetëm e ka goditur vajzën e saj por edhe i ka prerë damarët me thikë.
Fqinjët shprehen se familjarët e janë njerëz punëtor dhe nuk kishin probleme në komunitet.
Motivi kryesor i krimit dyshohet xhelozia. Abc News ka mundur të zbardhë edhe një pjesë të dëshmisë së autorit para grupit hetimor, ku ka shfaqur pendesë. Gjatë marrjes në pyetje, Erdet Çapoku mësohet të ketë thënë se në momentin e ngjarjes kishte qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe se kunata ishte mjaft gjaknxehtë .
“Me kunatën kemi patur disa keqkuptime në të kaluarën. Ajo ishte ishte shumë gjaknxehtë, nuk flitej me të. Madje m’i ktheu të gjithë njerëzit kundër meje. Jam penduar që e vrava, nuk duhet ta kisha bërë”, mësohet të ketë thënë ai.
Prangosja e Erdetit u bë nga efektivët e komisariatit nr.4., në zonën e Laprakës./abcnews.al