Autoritetet në Korenë e Jugut kanë njoftuar se 292 pacientë me koronavirus që mendohej se ishin “ri-infektuar” në fakt kishin qenë fals pozitiv. Në muajt e kaluar vendi aziatik ka pasur raste të shumta të personave që rezultonin të shëruar nga virusi dhe më pas kanë dalë sërish pozitivë për Covid-19.
Me këto raste u rrit frika që personat që konsideroheshin të shëruar mund të infektoheshin sërish nga dikush tjetër, ose që virusi ishte vënë në “gjumë” e më pas ishte riaktivizuar sërish.
Në të dyja rastet, ngriheshin dyshime që imuniteti që fitonin personat nga virusi zgjaste pak. Nëse njerëzit nuk kishin imunitet, lehtësimi i masave shtrënguese mund të dukej si pa kuptim pasi asnjë nuk do të ishte i mbrojtur.
Një zyrtar i Koresë së Jugut njoftoi tashmë se personat që rezultuan pozitivë për herë të dytë nuk kishin qenë të infektuar herën e parë, dhe jo sepse nuk patën fituar imunitet.
Ekspertët e sëmundjeve infektive thonë gjithashtu se fragmente të vdekura të virusit mund të qëndrojnë në trup, për muaj të tërë. Autoritetet shëndetit në Korenë e Jugut njoftuan të mërkurën zero raste të reja me koronavirus për herë të parë që nga nisja e epidemisë në shkurt. /abcnews.al/