Dyshimet e policisë për plagosjen e Marklen Hakës

schedule15:24 - 25 Shtator, 2019

schedule 15:24 - 25 Shtator, 2019

Mbi 20 persona janë shoqëruar në Policinë e Fushë Krujës për atentatin ndaj 28-vjeçarit Marklen Haka, por deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar nga uniformat blu. Personat e përfshirë në atentat dyshohet se kanë pasur informatorin e tyre në fshatin Zezë, ku ndodhen edhe anëtarët e fisit Haka.

Policia nuk ka asnjë të ndaluar për atentatin e tipit mafioz në drejtim të Marklen Hakës, të ndodhur mbrëmjen e 21 Shtatorit në Nikël të Fushë-Krujës. Pas ngjarjes u shoqëruar në komisariat mbi 20 persona, të cilët u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.

Grupi hetimor dyshon se plagosja e Marklen Hakës ka si motiv hakmarrjen. Në të njëjtin atentat mbeti e vrarë aksidentalisht halla e 28-vjeçarit, që ishte për vizitë te banesa e tij. Organizatorët e atentatit, dyshohen se kanë pasur informatorin e tyre për të hyrë në brendësi të fshatit Zezë.

Madje banorët kanë deklaruar në polici se, pak para se të ndodhte plagosja e 28-vjeçarit Haka pranë urës ishin parë disa lëvizje automjetesh e njerëz të panjohur. Dyshimet janë që autorët e atentatit janë vrasës me pagesë.

Ata e njihnin mirë terrenin pasi, nuk janë larguar nga rrugë kryesore automobilistike që lidh Niklën me Krujën por, kanë zgjedhur rrugën dytësore të fshatit Zezë, duke humbur edhe gjurmët. Në vendngjarje u sekuestruan mbi 100 gëzhoja të qëlluara nga katër armë të ndryshme automatike.

Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por që u lirua për mungesë provash. Edhe një vit më parë Haka u prangos gjatë operacionit “Forca e Ligjit”, të zhvilluar në zonën e Niklës, por u lirua përsëri, ndërsa në banesë iu gjetën armë zjarri e lëndë shpërthyese./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!