Dyshime për mutacionin indian, ISHP: Asnjë rast i konfirmuar, të mos ulet vigjilenca

schedule18:16 - 8 Qershor, 2021

schedule 18:16 - 8 Qershor, 2021

Covid-19 në Shqipëri po qarkullon me intensitet të ulët, por konfirmimi i variantit indian të tij në Maqedoninë e Veriut dhe atij afrikan në Kosovë e ekspozon vendin tonë ndaj mutacioneve të virusit.

Anëtarja e Komitetit Teknik që menaxhon pandeminë Gjeorgjina Kuli i bën apel qytetarëve të mos e humbin vigjilencën.

“Sigurisht që duke i pasur më afër në distancë gjeografike, risku rritet. Por, duke qenë infeksion aerogen ne nuk vëmë dot barriera nacionale apo kufitare, por barrierat që ne mund të vendosim janë barrierat epidemiologjike që insistojmë të vazhdohet të zbatohen.”

Pavarësisht dyshimeve për variantin indian të koronavirusit, virologia Iris Hasibra nga Instituti I Shëndetit Publik tregon se analizat laboratorike aktualisht nuk kanë konfirmuar praninë e asnjë prej këtyre mutacioneve.

“Përveç sekuencimit që identifikon në kohë reale, ka edhe metoda të tjera alternative. Në vendin tonë nuk ka ende asnjë rast të identifikuar me variantin indian. Kemi sinjale që nga ana epidemiologjike na referojnë në lidhje me udhëtimet që kanë kryer njerëz të caktuar. Por ne jemi ende duke monitoruar.”

Varianti Indian i Covid-19 sipas specialistëve është më i transmetueshëm se mutacioni britanik ndërsa ai afrikan më vdekjeprurës. Ky i fundit shfaqet thuajse me të njëjtat shenja ndërsa indiani paraqet të tjera simptoma.

“Ky variant është 50 për qind më i transmetueshëm sesa varianti britanik. Në rang mortaliteti është duke u vlerësuar situata. Shfaqen me të vjella, me diharre, por nuk shfaqin temperaturë dhe kollë.”

Por sa na mbrojnë  vaksinat kundër këtyre mutacioneve?

“Të dhënat e deritanishme kanë treguar që vaksinimi sjell një proteksion të mirë edhe ndaj shtameve mutante.”

Me rritjen e numrit të të vaksinuarve dhe atyre që e kanë kaluar sëmundjen epidemiologët parashikojnë një verë  të qetë ndërsa vjeshta sipas tyre është ajo që do të tregojë më tepër për ecurinë e  pandemisë tek ne.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!