Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një program të ri qeveritar që synon të mbështesë rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në vend. Sipas Ramës, nisma e quajtur “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, pritet të zbatohet së shpejti.
Sipas Ramës, programi do të ofrojë kredi me interesa më të ulëta. të mbështetura nga garanci shtetërore. Kjo synon t’u japë mundësi sipërmarrësve që kanë ngritur biznese të vogla apo të mesme të zgjerojnë aktivitetin e tyre dhe të rrisin kapacitetet prodhuese.
Kryeministri theksoi se kjo nismë përfaqëson një hap të ri për mbështetjen e sipërmarrjes në Shqipëri, duke synuar të kapërcejë vështirësitë që bizneset hasin në sigurimin e financimeve në tregun bankar.
“Pas Paketës së Maleve vjen edhe një program i ri i qeverisë së Shqipërisë, së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë, i cili së shpejti do të firmoset për të nisur rrugëtimin e tij dhe për të pritur në këtë rrugëtim të gjithë ata, të cilët duan të dyfishojnë ndërmarrjen e tyre.
Një program i fuqishëm kreditimi me interesa më të arsyeshme sesa ato komerciale të bankave të nivelit të dytë dhe me garanci nga qeveria e Shqipërisë, po bëhet më në fund gati për t’i shërbyer të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që me kurajë, me vullnet, por edhe me largpamësi kanë zgjedhur të hapin rrugën përmes sipërmarrjes; kanë zgjedhur të krijojnë një biznes të vogël i cili tanimë është gati të rritet, por ka nevojë për mbështetjen financiare që përndryshe ata nuk mund ta sigurojnë dot. Kjo është një rrugë e re dhe së shpejti, të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, të gjithë ata që kanë një pikë prodhimi, që duan ta dyfishojnë dhe ta rrisin, të gjithë ata që kanë një start-up dhe që duan ta transformojnë në një ndërmarrje prodhuese, fitimprurëse, do të kenë të hapur derën e programit “Dyfisho ndërmarrjen tënde”.”, tha Rama.


