Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar pas krimeve që kanë goditur vendin përgjatë tre ditëve të fundit. Lleshaj tha se arma kundër krimit është struktura policisë së shtetit, duke theksuar se duhen ndaluar sulmet ndaj saj. Ai u shpreh se sa herë ka krime qarqe të ndryshme politike ngrenë gishtin ndaj policisë, duke bërë atë përgjegjëse.
“Policia është arma jonë në luftën kundër krimit. Nuk mund t’i lejojmë sulmet ndaj saj nga segmente të shkëputura ndonjëherë edhe politik. Krimi është një fenomen social. Policia nuk gjeneron krimin por e lufton atë. Sa herë ka krime, edhe si krimet e fundit të shëmtuar si dy ditët e fundit në Elbasan në Tiranë na kërkohet të rreshtohemi me policinë dhe jo të ngremë gishtin kundër saj. Policia simbolizon një interes publik”, tha Lleshaj.
Më pas në një deklaratë për gazetarët Lleshaj u shpreh se situata e rendit në vend është me parametra optimalë, pavarësisht ngjarjeve të fundit. Ai këshilloi gazetarët të konsultohen me shifrat e publikuara nga Eurostati për të parë nivelet e sigurisë në Shqipëri, duke injoruar ngjarjet kriminale në vend.
“Lidhur me rendin, dua t’ju them që situata e rendit dhe e sigurisë publike në Shqipëri është në parametra optimalë, pavarësisht ngjarjeve të fundit. Ngjarjet janë ngjarje, por ngjarjet nuk janë të atij niveli sa të përmbysin situatën. Pra duhet të bëjmë një dallim midis tablosë së përgjithshme të situatës së rendit dhe të sigurisë publike, e cila është duam apo nuk duam në nivelet më të mira historike. Se këtë e provojnë shifrat, të cilat janë publike tashmë, jo vetëm shifrat e publikuara nga ne, por edhe shifrat e publikuara në nivel ndërkombëtar.
Ju këshilloj si gazetarë, sepse ju e dini që jeni hulumtues të mirë mund të konsultoni “Eurostatin” dhe të shihni se në cilat nivele është siguria dhe rendi publik në Shqipëri. Pra dua të them që rendi është në parametra optimalë. Ngjarjet janë të rënda të papranueshme dhe po punohet fort për zbardhjen e tyre sa më shpejt. Dhe dua të garantoj që duke marrë në konsideratë faktin që Policia e Shtetit shqiptar ka një nivel zbulueshmërie të ngjarjeve kriminale shumë të lartë, që shkon tek 90% në shumicën e rasteve, sidomos në krimet e rënda kalon mbi 90%, jep arsye të plotë për të besuar që edhe në këtë rast zbardhja e tyre do të bëhet pa hezitim dhe në thellësinë e nevojshme.
Sa i përket pyetjes që të ndaj mendjen ka apo s’ka, unë e kam ndarë mendjen dhe kam thënë që Shqipëria nuk ka kanabis në kuptimin e një plage të madhe shoqërore, siç jemi mësuar ta kemi. Sigurisht që tentativa për të mbjellë do të jetë për sa kohë të ketë njerëz. Por është po aq e sigurtë që fenomeni është këputur në mes dhe nuk mund të ngrihet më në këmbë. Këtë e provojë shifrat, këtë e provojnë dy indikatorë që unë i mbaj në ndjekje përditë. Sasinë e lëndës narkotike që kapet në brigjet përballë, në Itali, apo në Greqi, apo në vende të tjera, e cila ka shkuar pothuajse drejt zeros. Dhe po ashtu ndiqen dhe tregues të tjerë që na provojnë që kanabisi është goditur dhe këputur në mes. Sigurisht ka tentativa të izoluara, të shkëputura, në zona shumë të thella të cilat po ndiqen këmba-këmbës, falë një angazhimi madhor të Policisë së Shtetit. Dhe mundësitë për një riaktivizim, për një ringjallje apo për agravim të situatës janë zero. Pra, kjo është që mendja është e ndarë, fenomeni është inekzistent si fenomen”, tha Lleshaj.
Të martën në mbrëmje kryeqyteti u trondit nga një vrasje në familje dhe atentati që iu bë Preng Gjinit pranë Urës së Selitës. Ndërsa mëngjesin e djeshëm në Elbasan u ekzekutua vëllai i Talo Çelës, Bujar Çela./m.v. abcnews.al