Përballjen me drejtësinë ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri e ka nisur dy vjet më parë. Një përmbledhje e procesit që nisi me akuzat për trafikant të lëndëve narkotike e që përfundoi me vendimin e gjykatës për shpërdorim detyre.
Kështu nisi karriera e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm në vitin 2013. Në pak kohë u listua më i suksesshmi ndër ministrat e tjerë të qeverisë Rama 1. Një vit pasi kishte marrë detyrën, nisën edhe akuzat e para të opozitës.
“Audi me targë AA003GB në pronësi të Saimir Tahirit gjatë vitit 2014 kishte kaluar me qindra herë kufirin Shqipëri-Greqi dhe se kishte dyshime të forta se nën përdorimin e kushërinjve Habilaj të ministrit të Brendshëm, me atë mjet ishte trafikuar drogë”.
Një vit më vonë ish shefi i antidrogës në Vlorë Dritan Zagani e akuzoi se dekonspironte aksionet e policisë për kapjen e trafikantëve të drogës.
Opozita kërkoi heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe dorëzimit të tij drejtësisë. Por mazhoranca kërkoi më shumë prova që të bindej.
Me kohën po veniteshin edhe deklaratat si ministri më I sukssesshëm deri sa një ditë kryeministri Edi Rama i heq të gjitha funksionet politike dhe e lë të lirë të gjejë të drejtën e tij.
Në nëntorin e vitit 2017 Saimit Tahiri u vu nën hetim nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare që trafikonte marihuanë nga Shqipëria drejt Italisë.
Shkak për nisjen e hetimeve u bë goditja e kësaj organizate në Catania nga autoritetet italiane e cila ndeshi në përgjiet e kryera mes trafikantëve emrin e ish ministrit Tahiri.
Socialistët iu bënë mburojë kur Prokuroria kërkoi arrestimin e ish ministrit, me pretendimin se nuk kishin paraqitur asnjë provë.
Por ishte vetë Saimir Tahiri që vendosi në vitin 2018 të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Pas përsëritjes së kërkesës së Prokurorisë, ish ministri qëndroi në arrest shtëpie derisa Gjykata e Apelit vendosi që ai të hetohej në gjendje të lirë.
Gjatë vitit 2018 prokuroria e krimeve të rënda sekuestroi dhjetra prona të grupit Habilaj me vlerë miliona euro.
Saimir Tahiri në cdo seancë gjyqësore ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh, apo se ka patur lidhje me grupin e Habilajve. Ai ka përsëritur se ky proces është politik.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-ministrit Tahiri për gjykim të shkurtuar, duke e ulur automatikisht në një të tretën masën e dënimit. Prokuroria kërkoi fillimisht 12 vjet burg duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda penale: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal.
Por pas një seance maratonë që nisi prej orën 9 të ditës së enjte, rreth orës 22 të mbremjes gjykata i komunikon vendimin, sipas të cilit nuk është një trafikant siç është dyshuar këto dy vjet, por thjesht një funksionar i lartë shtetëror që ka shpërdoruar detyrën.
Ish-Ministri u dënua me 5 vite burg në total, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, atij iu ul masa e dënimit me 3.4 vite burg dhe në përfundim iu konvertua në 3 vite shërbim prove, çka do të thotë se Tahiri nuk do të kryejë as një ditë burg.
Por nuk ka mbaruar këtu beteja ligjore e Saimir Tahirit. Ai është i vendosur ta apelojë vendimin për ta hequr edhe këtë njollë nga vetja. Se sa kohë do t’i duhet e sa mesazhe të tjera do të përcjellë nga dyert e gjykatës, kjo ende nuk dihet. /ABC News Albania 24/7