Dy sulme me thikë në vetëm 24 orë kanë ndodhur në shkolla në Brazil. Mediat e huaja shkruajnë se tre fëmijë u goditën me thikë nga një shok klase në një shkollë publike në Santa Teresa, një qytet i vogël në shtetin qendror të Goias.
Autori ishte një djalë 13-vjeçar, i cili pasi hodhi një fishekzjarre në një klasë, sulmoi me thikë shokët e klasës teksa po dilnin nga klasa. Tre fëmijët e plagosur po trajtohen jashtë rrezikut, tha policia, pa specifikuar moshën e tyre.
Sulmuesi më pas ndoqi një mësuese, e cila u mbyll në një dhomë shkolle për të shpëtuar. 13-vjeçari është imobilizuar nga një mësuese derisa ka mbërritur policia.
Në një kontroll në shtëpinë e tij, oficerët gjetën “shënime dhe materiale që tregonin se ai kishte planifikuar këtë sulm për disa kohë”.
Të hënën, një adoleshent goditi me thikë dy nxënës dhe një mësues në një shkollë private në Manaus (veri). Mediat lokale raportuan për “lëndime sipërfaqësore”. Autori është vetëdorëzuar dhe po merret në pyetje nga policia.
Gjithahstu një tjetër sulm ka ndodhur një javë më parë në qytetin Blumenau në shtetin Santa Catarina (në jug) ku një 25-vjeçar hyri në një çerdhe dhe vrau katër fëmijë.
Masakra tronditi të gjithë Brazilin dhe shkaktoi “panik në shkollat dhe prindërit e studentëve./abcnews.al

