U skualifikua nga gara për kryeprokuror, rrëzohet padia e Lulzim Alushajt

schedule10:29 / 25/10/2019

Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e Lulzim Alushajt, i cili u skualifikua nga gara për kryeprokuror. Në këtë mënyrë zhbllokohet dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve për kryeprokuror.

Kandidatë për postin e kryeprokurorit janë prokurori i Krimeve të Rënda Olsjan Çela, prokurorja e Apelit të Tiranës Fatjona Memçaj, si dhe kryeprokurorja aktuale Arta Marku.

Në përfundim të seancës gatë një prononcimi për mediat, Alushaj tha se vendimmarrja e KLP për skualifikimin e tij është e cunguar dhe jo ligjore.

“Sot u shpall vetëm dispozitivi i cili është vendim për rrëzimin e kërkesë padisë. Do njihem me vendimin e gjykatës dhe Jam shumë kurioz të shoh argumentimin ligjor të këtij vendimi. Në këndvështrimin tim vendimmarrja e KLP është e cunguar dhe jo ligjore. Kjo Do të ketë pasoja sepse është një akt precedent shumë i rrezikshëm edhe në marrëdhëniet e tjera që qytetarët e Republikës do të hyjnë me administratës publike.  Jemi përpara një vendimi gjykate Apeli që ka dhe një vendim orientues për gjykatat e tjera ku i është thënë në vendimin sot çdo autoriteti që afatet që vendosen në ligj ju mund t’i modifikoni sipas kënaqësive të momentit dhe nevojave që keni gjatë shqyrtimit të akteve administrative”, tha Alushaj.

Gjykata e Administrative e Apelit zhvilloi këtë të enjte seancën ndaj Lulzim Alushaj, për ankimimin e tij pas skualifikimit nga gara për prokuror. Lulzim Alushaj pretendoi se Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shkelur ligjin pasi ka mbajtur dy standarde.

“Më 17 Qershor kur u mbyll gara për Prokuror të Pergjithshëm, duhet të ishte skualifikuar edhe kandidati tjetër Olsian Çela i cili s’kishte kaluar vettingun”, tha ai.

Ndërkohë i kërkon trupës gjykuese të kryesuar nga Kastriot Selita që ta quaj të paligjshme garën për Prokuror të Përgjithshëm. Pasi sipas Alushajt, KLP nuk ka respektuar ligjin për zhvillimin e garës.

Përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në parashtrimin e tij thekson se zoti Çela ishte në proces rivlerësimi, dhe ligji për garën për Prokurorin e Përgjithshëm nuk e pengon një kandidat prokuror që s’e ka kaluar Vettingun që të kandidojë.

Sipas përfaqësuesit të  KLP-së, Alushaj nuk ka depozituar formularin e vetdeklarimit, që për 10 vitet e fundit nuk ka mbajtur asnjë funksion politik.

“Këshilli ishte i detyruar të priste përfundimin e rivlerësimit për kandidatin qe erdhi nga radhët e prokurorisë. Gjithashtu te plotësimi i viteve të punës duhet të theksohet fakti që Alushaj në CV e tij ka shkruar që ka filluar pune si jurist në Maj të 2005-ës dhe nuk i plotëson kriterin e 15 viteve eksperience si jurist i spikatur”, tha ai.

Lulzim Alushaj para trupit gjykues
Lulzim Alushaj para trupit gjykues

Lulzim Alushaj u skualifikua nga KLP nga gara për kryeprokuror, pasi nuk plotësonte kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur. Mirëpo Alushaj shprehet se diploma e tij është lëshuar në 15 Qershor në vitin 2004 dhe pretendon se i plotëson 15 vite punë si jurist i spikatur.

Pas skualifikimit nga gara për kryeprokuror, Alushaj e ankimoi vendimin. Duhet vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit mbi Alushajn në mënyrë që KLP të vijojë punën për klasifikimin e kandidatëve të tjerë./abcnews.al

schedule10:29 / 25/10/2019