Juventusi tenton një mesfushor, teksa një “veteran” pritet të largohet nga Interi në fund të sezonit. Manuel Locatelli është dëshira e madhe e Andrea Pirlos për repartin e mesfushës. 23-vjeçari po bën shumë mirë te Sassuolo dhe kombëtarja italiane, teksa në garë për shërbimet e tij (klubi italian kërkon 40 milion euro) janë edhe Manchester City e Real Madrid.
Alternativa e Locatellit është Jorginho, mesfushor që gëzon simpati të kahershme në kampin e kampionëve të Italisë. Emri i 29-vjeçarit të Chelsea lidhet prej kohësh me “Zonjën” dhe sezonin e ardhshëm mund të rikthehet në Serie A. Interi vijon të kryesojë Serie A dhe fitorja e sotme përballë Parmës në transfertë do e dërgonte në 6 pikë distancën me Milanin ndjekës.
Ashley Young pritet të largohet në fund të sezonit. Mbrojtësi i majtë ndodhet në vitin e fundit të kontratës me zikaltrit dhe rinovimi është larg. Sipas raportimeve që vijnë nga Anglia, 35-vjeçari ka ka vendosur të rikthehet në shtëpi. Watford, që renditet në vend të tretë në Championship dhe po lufton për t’u rikthyer në elitë, pritet të jetë destinacioni i ardhshëm i Young. /abcnews.al