“Dy koka hanë kokat”, çfarë mendojnë qytetarët për zgjedhjet e 30 Qershorit

schedule16:00 - 25 Qershor, 2019

schedule 16:00 - 25 Qershor, 2019

Po ç’mendojnë qytetarët e Tiranës të pyetur nga ABC News lidhur me pjesëmarrjen të djelën në zgjedhje? Ndjekim gazetarin Andi Qosja.

Pak ditë para zgjedhjeve vendore, qytetarët me të drejtë vote janë të ndarë në disa kategori.  Një pjesë duan të votojnë për kandidatin dhe forcën politike qe preferojnë, një pjesë tjetër nuk do tu drejtohen kutive të votimit. Por ka edhe qytetarë që, në morinë e deklaratave që dëgjojnë në media, ende janë të paqartë se çdo të ndodhë të dielën dhe si do të veprojnë.

Engjëllushja, një ish-mësuese tashme në pension shprehet se, vota është gjëja më e shtrenjtë në demokraci.

Engjëllushe  Muça ish-mësuese: “Atë kam unë, tjetër gjë nuk kam përveç votës dhe e di që është e rëndësishme. Por  nuk sakrifikoj jetën time unë nëse ka rrëmujë. Ka njerëz atje që ndeshen, qoftë të PS-së, PD-së apo të LSI-së. Për këto tre forca politike diskutohet këtu”.

Ish-mësuesja thotë se nuk është shumë e bindur për të shkuar të shprehë vullnetin e saj me votë, pasi ditën e votimit mund të ndodhin edhe të papritura.

Engjëllushe  Muça ish-mësuese: “Dy maja i themi ne, dy koka hanë kokat. Më mirë është që të ulen. Pastaj nëse ka rrëmujë unë nuk kam si të shkoj sepse nuk e vë jetën në rrezik. Për pushtetarët nuk e vë jetën në rrezik”.

Flamuri apelon për qetësi: “Po këta zihen e grihen. Mundohu  një herë të hash bukë, të jetosh dhe të punosh tamam”.

Persona të tjerë shprehen të sigurt se do të votojnë, pavarësisht se gjendjes që mund të krijohet në qendrat e votimeve.

Disa të tjerë kanë zgjedhur të mos marrin pjesë në votime, pasi sipas tyre nuk ka garë vetëm më një kandidat./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!