Dy fëmijët shesin fara për të siguruar bukën e gojës, familja e varfër në Tiranë apelon për ndihmë

schedule15:58 - 30 Prill, 2020

schedule 15:58 - 30 Prill, 2020

Një prej të ardhurave kryesore të familjes së Alidie Bregut sigurohet nga shitja e farave të lulediellit. 70-vjeçarja para përhapjes së COVID-19 dilte e shiste për gjatë gjithë ditës nëpër rrugë, në diell dhe shi. Ajo sakrifikon shumë pasi duhet të ushqejë djalin e sëmurë dhe dy fëmijët e tij.

Por, tani kufizimi i orareve dhe frika nga policia e ka detyruar të mos shesë më. Ajo është shumë e shqetësuar se nuk kanë se me çfarë të ushqehen. Ndërsa sëmundjet që kanë ajo dhe i biri janë të rënda dhe ju shtojnë dhe peshën e problemeve.

“Për mua situata është katastrofë, nuk kam çfarë të bëj më. Nuk më ka parë njeri me sy, kam marrë vetëm një pako nga lgja nr,9. Kam telefonuar dhe asnjë ndihmë nuk më ka ardhur. 4 veta në një dhomë. Djalin  e kam të sëmurë me diabet, hepatitB kronik, nuk mund të punojë sespe i ka prekur nervat dhe akoma nuk i kanë nxjerrë kempin. Dhe vetë jam me zemër,azëm bronkiale, trompozë në kokë”, tregon ajo për gazetarin Maksi Rama.

Të detyruar që të mos ngelin pa ushqime herë pas herë ju vijnë në ndihmë edhe dy fëmijët e mitur 10 dhe 12 vjeç. Ata thyejnë rregullat dhe dalin e shesin fara. Thonë se ndihen keq kur shohin moshatarët e tyre që shëtisin dhe ata nuk janë të barabartë.

“Policia nuk të lejon sepse është vendosur që pensionistët kanë vetëm 2 orë leje për të dalë. Këtë javë kam filluar të nxjerr fëmijët sepse nuk kisha zgjidhje tjetër. Vajzës i vjen turp sepse thotë më shajnë shokët. Por tani më e keqa është se nuk kemi se me çfarë të ushqehemi, kështu i them vajzës”, shprehet ajo.

Jetojnë të katërt në këtë dhomë që e kanë me qira. Tani që janë të papunë kanë frikë se me se do ushqehen apo do paguajnë dhomën dhe faturat.

“Jetoj në shtëpi me qira, shes fara sepse ndryshe nuk ia dal dot. Marr vetëm 8 mijë lekë të reja ndihmë sociale bonus qiraje. 12 mijë lekë marr pension, mbaj 4 persona në shtëpi”, tha Bregu.

Alidia ka një dëshirë që sot e tha me zë. E ne shpresojnë që t’i plotësohet sa më parë

 “Dua ndihmë nga qeveria. Një shtëpi, sikur edhe një dhomë që të mos paguaj qira sepse nuk e përballoj dot”, thotë Alidie Bregu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!