Gjermania pritet të pranojë që Maqedonia e Veriut të hapë negociatat që në Janar, ndërsa Shqipëria t’i hapë ato pasi të plotësojë 9 kushte. Deutsche Welle raporton kushtet e shkruara nga grupi parlamentar i mazhorancës gjermane.
Bundestagu gjerman do të votojë të enjten e ardhshme nëse do të hapen ose bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë. Sipas DW, për Shqipërinë pritet të vendosen kushte, ndërsa Maqedonia e Veriut mund t’i fillojë negociatat qysh në janar.
Një dokument final është duke u përfunduar, por grupimi i mazhorancës (CDU/CSIU) si edhe Partia Socialdemokrate, ka parashikuar që Shqipërisë negociatat t’i hapen vetëm kur të plotësohen disa kushte.
Sipas burimeve të DW në qarqet e grupit parlamentar CDU/CSU, kushtet prekin rreth 9 fusha:
– funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
– miratimi i reformës zgjedhore;
– implementimi i reformës zgjedhore;
– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;
– përparime në reformën e administratës publike;
– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019.
Edhe nëse Gjermania thotë “po”, vendimmarrja ngelet në portën e Francës. Presidenti Emmanuel Macron, deri tani është shprehur kundër zgjerimit para konsolidimit të BE-së./ABC News Albania 24/7