Durrës, masë e butë për gjyshen “rrëmbyese”

schedule15:35 - 22 Prill, 2024

schedule 15:35 - 22 Prill, 2024

Gjykata e Durrësit ka marrë vendimin për Bahrije Gjinin, gjyshen që rrëmbeu nipin e saj 3-vjeçar.

Ndaj 57-vjeçares është vendosur masa “detyrim paraqitje”, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 dhe 25 i Kodit Penal. ABC News mëson se seanca është mbajtur me dyer të mbyllura.

Kujtojmë se Bahrie Gjuni është vetëdorëzuar në prokurorinë e Durrësit bashkë me nipin e saj ditën e shtunë. Ajo ka deklaruar se gjithçka e bëri në emër të dashurisë për nipin dhe dëshirës për ta rritur atë vetë, pas vdekjes së djalit aksidentalisht.

Në lidhje me këtë ngjarje, Gjykata e Durrësit ka caktuar masën arrest me burg për Rexhep Gjunin dhe kunatin e tij, Arben Selaj, të cilët akuzohen për rrëmbimin e 3-vjeçarit në Durrës

Vendimi nga Gjykata e Durrësit për Bahrije Gjunin:

Çështja penale me Nr. 241/4 Akti, me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve B.Gjuni e dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 109/2 dhe 25 te Kodit Penal”:

Kjo çështje u shortua elektronikisht pranë Gjyqtares Besjana Garxenaj.

Seanca gjyqësore u zhvillua në datë 22.04.2024, ora 14:00.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 241/2, datë 19.042024, ku ka vendosur:

VENDOSI:

  1. Konstatimin e paligjshmërisë së ndalimit të personit nën hetim B. Gjuni, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 dhe 25 i Kodit Penal.
  2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim B. Gjuni.
  3. Detyrimin e personit nën hetim B. Gjuni, që të paraqitet në Policinë Gjyqësore Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të Mërkurën e parë dhe të tretë, të çdo muaji, ora 10:00.
  4. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim B. Gjuni, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.
  5. Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për ekzekutimin e këtij vendimi.
  6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!