Nesër rikthehet Kategoria Superiore dhe Laçi e nis me një transfertë të vështirë në Durrës. Bardhezinjtë kurbinas do të përballen me Teutën e Martinit në “Niko Dovana” (16:00), ndeshje të cilën Shpëtim Duro e konsideron duel titulli.
Trajneri i Laçit e quan pozitive ndërprerjen e kampionatit, pasi lojtarët kishin nevojë për pushim. Në fund edhe një koment për Vllazninë, kundërshtarin e Laçit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, përballje që luhet në “Loro Boriçi” më 14 prill.
SITUATA – “Vijmë pas një periudhe shumë të ngarkuar sa i përket ndeshjeve të luajtura. Pushimi i ka shërbyer skuadrën tonë, por edhe të tjerëve, sidomos nga ana psikologjike”.
KUNDËRSHTARI – “Ndeshje e rëndësishme kundër një skuadre që ka kryesuar gjatë gjithë kampionatit, bashkë me ne, Vllazninë dhe Partizanin. Është një përballje rivalësh, asnjë skuadër nuk është favoritet”.
KUPA – “Do bëjmë në fillim llogaritë për ndeshjen e së dielës kundër Vllaznisë në kampionat, më pas do të mendojmë për Kupën. Të gjithë ekipet gjysmëfinaliste kanë të drejtë të pretendojnë. Mendoj se shorti është i barabartë, të katër ekipet kanë shanse për të fituar trofeun”. /abcnews.al