Kukësi u rikthye të fitorja dhe normalisht kjo e kënaq Shpëtim Duron, trajnerin e verilindorëve. Pas ndeshjes, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, tekniku kryeqytetas analizoi atë që ndodhi në fushën e blertë.
“Pjesën e parë nuk kemi bërë lojë të mirë. Shënuam të parët për shkak të Abazajt, pas golit patëm probleme. Skuadra ishte e ngarkuar, gabonim në pasa të thjeshta. Bylisi na vinte në vështirësi. Pjesën e dytë e menaxhuam mirë lojën. Shënuam golin e fitores dhe më pas mund të realizonim sërish. Bylisi do ua bëjë të vështirë të gjithëve”.
“Rrocën e kam kritikuar shumë, ndaj erdhi tek unë. Për pozicionin që luan duhet të shënojë gola. Ka humbur shumë raste shpesh. Ky gol e çliron dhe atë. Na dha tre pikë më shumë vlera sot”, shtoi trajneri Duro.
“Shkurtaj është shënuesi më i mirë i yni, ka disa ndeshje që nuk luan. Nuk është në 100 për qindëshin e tij. Ka mënyrën e lojës që pason. Gjithashtu edhe shënon. Nuk ka ritmin e duhur. Mesfushorët nuk e luajtën topin në pjesën e parë dhe nuk shërbyen për të”.
“Kisha alternativa sot. Të kesh Gavazajn në stol është luks. Kisha disa lojtarë. Lulaj në atë pozicion ka bërë ndeshje të mirë në Laç. Limaj është i mirë në pozicionin e tij. Lulaj na dha siguri. Gavazaj u paraqit mirë ku hyri, sikurse edhe Kitanovksi. Në krahasim me pjesën e parë them se u paraqitëm shumë”.
“Nuk ka ndonjë ekip që bën diferencën. Bylisi është ekip i fortë dhe jo më kot ka mundur Tiranën, ka barazuar edhe me Partizanin. E dija që është e vështirë. Presionin na e japin pikët. Po t’i kishim 3-4 pikë më shumë do ishim në pozita të tjera. Kemi gabuar shumë, por edhe të tjerët që pretendojnë. E rëndësishme është që të mos gabojmë, kemi hyrë në këtë fazë tani”, përfundon trajneri i Kukësit. /abcnews.al