Duro: Na ndihmoi taktika e Partizanit, merruni me trajnerët e huaj që futen në fushë

schedule21:19 - 26 Janar, 2020

schedule 21:19 - 26 Janar, 2020

Kukësi fitoi supersfidën e kësaj jave ndaj Partizanit dhe vijon të kryesojë Superioren. Shpëtim Duro ka analizuar në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ndeshjen, paraqitjen e ekipit të tij, rastet e dyshimta, teksa nuk i kursen thumbimet dhe batutat.

FITORJA – “Dihet forca e skuadrës tonë. Sigurisht kemi marrë pothuajse pikët e plota me Tiranën dhe Partizanin. Skuadra kishte qëndrueshmëri.  Ishim më superior në të gjitha aspektet në sfidën e sotme ndaj Partizanit. Në një moment psikologjik jo të mirë dhe me kritika të shumta rreth e rrotull, skuadra diti të reagojë. Rëndësi ka që skuadra të fitojë dhe të kënaqemi të gjithë”.

THUMBIMI – “Çdo ndeshje është emocion, nuk e di ku e ke parë tensionin tim sot. Shihni ata trajnerët e huaj që futen në mes të fushës çdo javë dhe tregojnë shembullin e mirë. Me ata merruni, trajnerët shqiptarë janë shumë korrekt”.

LËVIZSHMËRIA – “Do jetë me mirë të lëvizë topi shpejt. Sot ishte ndeshje për t’u fituar. Kam qenë strikt në mesin e fushës, pozicionim dhe për të shfrytëzuar krahët. Maliqi ka qenë ofensiv, edhe Musta. Ka qenë fati jonë, ata nuk u mbuluan mirë. Partizani luante në formë rombi dhe ky ishte momenti pozitiv i ekipit tonë. Edhe lojtarët e sulmit kryen lëvizshmëri në nivelin e duhur”.

TAKTIKA – “Më interesoi ajo vendosje e Partizanit, sepse kishin aktivizuar Bardhin pas dy sulmuesve. Cinarin, i cili është lojtar i rrezikshëm. e kishte tërhequr mbrapa dhe ai nuk ishte në nivelin e tij. Ai është i rrezikshëm kur luan përpara. Më interesoi kjo skemë, Musta dhe Maliqi kishin korridor dhe hapësira për të dalë në sulm”.

DEKLARATA – “Në futboll çdo gjë ndodh. Thashë që kam 6 muaj te Kukësi, punoj te kompleksi i Jupit. Jam shumë i qetë me lojtarët. Te zyrat kam shkuar 2 herë, presidentin e kam takuar 2-3 herë, prandaj them që kam qenë i qetë. Presion ka, pretendojmë titullin. Njësoj si te Partizani dhe Tirana, që kanë ndërruar trajnerët”.

GOLI – “E pashë, duket që ka kaluar totalisht vijën fatale. Na janë mohuar edhe dy penallti pas këtij rasti. Nuk do merrem shumë me golin, si ata të Gjirokastrës. U morën tre dite me golin dhe pësuan 5 sot nga Tirana. E kishin harruar që kishin ndeshje me Tiranën. Atje thoshin që iu mohua fitorja Gjirokastrës, kjo është më e bukura, ndërkohë që ishte minuta e 30-të”.

GAVAZAJ – “Ka përmirësim të ndjeshëm nga fillimi i kampionatit. Në 5-6 ndeshjet e fundit ka qenë në gjendje të mirë. Sot hyri pak me vonesë në lojë dhe them që luajti shumë mirë. Jam i kënaqur me të, si me Shkurtajn dhe Abazajn. Dua që këta lojtarë të zgjidhin situatën edhe kur luajmë dobët. Ky është pretendimi im, në ndeshjet e mëdha kanë luajtur mirë. U tensionua? Nuk e kam aspak problem, i rregulloj vetë situatat që krijohen, e rëndësishme është fitorja”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!