Laçi reagoi pas humbjes me Kastriotin dhe sot fitoi 3-2 ndaj Partizanit në shtëpi. Trajneri i bardhezinjve, Shpëtim Duro foli pas suksesit të sotëm për “Gol pas Goli” në Supersport, duke prekur disa tema të ndryshme.
“Këto tre vitet e fundit kam fituar me Partizanin, ndoshta është edhe fat. Mazrekaj? Për mua nuk ka habi, jam unë protagonist që e kam sjellë, duke i sugjeruar Laskës të marrë këtë lojtar pa kosto dhe pa pretendime. Është futbollist me cilësi, bën diferencën edhe kur luan 30 minuta. Ka kondicion të mirë fizik, është në formë të mirë.
Sot e vendosa si sulmues i dytë, kisha bindje që do bënte lojën e vet dhe do bënte diferencën. Më vjen mirë që ma shpërbleu, më nderoi, shpërbleu edhe veten e vet dhe ndihmoi skuadrën.
Ishte ndeshja e pestë e imja me Laçin, po them që 90% është ajo skuadër që ka luajtur me ritëm në çdo takim. Ndryshimi i vetëm sot ishte Mazrekaj. Skuadra ka kondicion të mirë fizik, edhe sot kryem një dominim total. Kemi gabuar vetëm në dy momente. Ishte një fitore e merituar, edhe me lojë.
Mos harroni që mungon shënuesi më i mirë, Nwabueze. Nëse ai nuk do të luante, unë nuk do e merrja drejtimin e Laçit. Ama, Van Dave po e justifikon shumë mirë aktivizimin.
Xhixha është shumë i rëndësishëm, por sot ishte një përzgjedhje taktike, vetëm kaq. Zgjodha Mazrekajn si sulmuesi dytë, por i përqendruar në zonën e krahut të majtë. Ishte zgjidhje pozitive, por Xhixha patjetër që është një lojtar i rëndësishëm i ekipit tonë“, deklaron Duro. /abcnews.al

