Kukësi u rikthye te fitorja dhe Shpëtim Duro është i lumtur. Trajneri i ekipit verilindor ka folur pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku ndalet te triumfi dhe loja e ekipit të tij.
FITORJA – “E rëndësishme është fitorja. Vinim nga një moment jo i mirë psikologjik. Tensioni, temperaturat e larta dhe fusha jo në nivelin e duhur, janë faktorë. E zgjidhëm në pjesën e parë dhe e administruam avantazhin. Ka akoma probleme brenda skuadrës, por rëndësi kishte fitorja”.
ABAZAJ-GAVAZAJ – “Nuk është faji im. Shkurtaj po bën ndeshje të mira, po shënon dhe ka lëvizshmëri të madhe. Abazaj dhe Gavazaj i patën mundësitë për të shënuar dhe gabuan, nuk është faji im”.
NDRYSHIM TAKTIK – “Skemën e ndryshova pas golit të parë. Po shikoja që kisha probleme pas daljeve në krah të Luftëtarit. Ktheva Et’hemin dhe kaluam me 4 mbrojtës. Aktivizova Lulajn, sepse është futbollist me cilësi më të mira defensive”.
SKËNDERBEU – “Ishte loja jonë me dobët në të gjitha aspektet kundër Skënderbeut. E kam thënë që ishte ndeshja jonë më e dobët dhe më e mira e Skënderbeut, por sërish dolëm më pikë”.
SULMI – “Shkurtaj po bën mirë dhe po shënon. Kisha dëshirë që të shënonin Abazaj dhe Gavazaj. I patën rastet dhe goli do t’i çlironte. Gjithsesi, po shërbejnë për skuadrën dhe shpresoj të jenë më mirë në ndeshjet e tjera”. /abcnews.al