Laçi rikthehet të luajë në fushën e vet. Bardhezinjtë ndodhen në formë shumë të mirë, teksa kanë fituar katër ndeshjet e fundit në kampionat, nga të cilat tre ishin në transferta.
Ekipi i Shpëtim Duros pret Kastriotin në Kurbin (e shtunë, 13:00) dhe fitorja është alternativa e vetme kundër një kundërshtari ndaj të cilit nuk janë marrë akoma tre pikët këtë sezon.
Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro flet përpara sfidës me ekipin krutan për Sporti im, aty ku prek edhe disa tema të tjera, si pezullimi i sulmuesit Kyrian Nwabuezes me dhjetë javë.
“Ndeshje e vështirë me Kastriotin, ata na kanë marrë katër pikë në dy ndeshje. Unë kam qenë trajner vetëm tek e dyta (Kastrioti fitoi 1-0). Ishte një ndeshje që e luajtëm shumë më mirë ne, por rezultati u kushtëzua nga disa episode.

Katër fitore radhazi? Moralisht jemi mirë, sepse skuadra ka treguar forcën e saj në këto fitore radhazi. Kemi pasur tri ndeshje të forta në transfertë. Sidomos në dy takimet e fundit në Shkodër dhe Ballsh, skuadra ka luajtur mirë.
Kastriotin duhet ta vlerësojmë maksimalisht, gabojmë nëse mendojmë se do i mposhtim lehtësisht. E kam thënë edhe më parë që nuk ka ndeshje të lehta. Kastrioti ka një organikë të mirë dhe ekip të fortë, kështu që vlerësim maksimal dhe respekt për ta.
Të gjithë ekipeve pretendente i ka hapur probleme. Një skuadër që kur luan seriozisht të krijon probleme. Kur nuk i vlerëson situatat është një Kastriot tjetër. Dhuna në Ballsh? Incidenti që ndodhi nuk ishte aspak i mirë.
Ne na dëmtoi shumë, pasi Nwabueze është sulmuesi ynë kryesor. Ai po kapte formën e tij më të mirë. Na ka krijuar probleme me gjestin e tij, diçka që nuk e pranoj as unë dhe as klubi. Dëmtoi edhe veten, por edhe skuadrën.
Formacioni? Kemi dy mungesa të rëndësishme: Nwabueze, i cili do të mungojë gjatë, dhe Malota. Renato ka pësuar një dëmtim muskulor gjatë javës. Një forcë që në planet tona mungon, ishte një nga lojtarët më të mirë në dy sfidat e fundit“, deklaroi Duro. /abcnews.al

