Barazimi ndaj Skënderbeut nuk i ka pëlqyer aspak, por Shpëtim Duro ka vetëm fjalë të mira për lojtarët e tij. Trajneri i Kukësit foli pas ndeshjes dhe analizoi barazimin, problemet e hasura dhe golin e anuluar në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
NDESHJA – “Në futboll janë të gjitha rezultatet. Më ka pëlqyer gjithë loja e skuadrës time. Kemi dominuar ndaj Skënderbeut. Ishte pakujdesi te goli. Në pjesën e dytë kishim shumë raste, por te pasimi i fundit kemi gabuar. E përgëzoj skuadrën, pasi objektivi ishte vendi i parë dhe arritëm. Është një meritë e padiskutueshme, pasi nuk luajmë në fushën tonë”.
ZËVËNDËSIMI – “Kemi bërë tre ndeshje në pak ditë. Ishte një zgjedhje taktike zëvendësimi i Shkurtajt, por edhe për çlodhje. Na mungonte dhe Limaj, një nga lojtarët më të mirë të skuadrës”.
ANALIZA – “Sigurisht që e nisim me vonesë ndeshjen, por jo se e filluam keq. Është përmirësuar kjo gjë. Edhe në pjesën e parë, kishim rastet tona. Kemi krijuar, kemi dalë në fundore, vetëm pasi i fundit ka munguar. Unë them që e dominuam shumë skuadrën. Unë u çudita me Skënderbeun se si qëndronte në mbrojtje. Nuk u befasuam me kundërsulmet”.
PIKËT – “Kampionati ka qenë shumë i ekuilibruar. Këta janë djem heronj sepse të gjithë kanë tifozë, ndërsa ne na vijnë 5 tifozë këtu dhe shajnë futbollistët e tyre. Jemi në një ambient shumë të ftohtë, ndryshe nga skuadrat e tjera. Në vendin e parë jemi me meritën e tyre. I përgëzoj të gjithë për atë që kanë dhënë”.
GOLI I ANULUAR – “Obanor më prishi punë në atë moment. Është lojtar që punon mirë me kokë, por janë gjëra që ndodhin. Unë jam dyshues për golin e pjesës së parë dhe i kam kërkuar llogari Jorgjit. Edhe rasti i Mustës, që kishte prekje për penallti, më ka mbetur në mendje. Unë këtë i thashë Jorgjit, që edhe nëse ka përfunduar loja, duhet ta lejonte për dinamikën e lojës. Për mua ishte gol i anuluar padrejtësisht nga Jorgji”. /abcnews.al