Duro “bllokon” merkaton: Nuk largohet askush, Kukësi im ka një avantazh

schedule15:23 - 20 Janar, 2020

schedule 15:23 - 20 Janar, 2020

Kukësi i ka dhënë fund fazës përgatitore dhe tani është gati për Kategorinë Superiore. Kryesuesit e kampionatit shqiptar arritën dy barazime në miqësoret turke, respektivisht kundër Malatyaspor (1-1, shënoi Abazaj) dhe Politehnica Iași (0-0).

Skuadra verilindore udhëton të mërkurën drejt Gjirokastrës për t’u ndeshur me Luftëtarin vendas, teksa Shpëtim Duro ka bërë një analizë të situatës në një prononcim për ABC News. Trajneri tregon avantazhin e Kukësit dhe, ndryshe nga presidenti Gjici, mendon se nuk do të ketë largime nga ekipi.

FAZA PËRGATITORE – “Barazuam me dy skuadra serioze, të Ligës së parë turke dhe ligës së parë rumune. Kanë qenë ndeshje shumë të mira për ekipin tonë. Ndoshta kemi qenë dominues në të dy takimet. Lojtarët kanë mbajtur shumë mirë ritmin, por edhe mënyra e lojës ka qenë pozitive”.

KUKËSI – “Kemi avantazh me skuadrat e tjera, sepse nuk kemi ndryshime fare. Është po ajo skuadër që ka qenë në gjysmën e parë të sezonit. Lojtarët njihen shumë më mirë, si në aspektin e karakterit dhe atë të lojës. Disa futbollistë që në fillim nuk ishin me stërvitjen e duhur kanë kapur ritmin e skuadrës dhe them se do jenë më mirë sa i përket bashkëpunimit të tyre”.

LARGIMET – “Kanë bërë paraqitje shumë të mira. Oferta ka pasur, gjithmonë në kuadrin jo zyrtar. Ka shumë futbollistë, por e them me bindje që nuk do kemi largime. Secili futbollist ka përgjegjësinë për ta çuar punën deri në fund, deri në periudhën e majit, pastaj ndryshon situata”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!