Visar Duriqi nga Insajder në një lidhje live nga Kosova për emisionin “Ballkan Update” theksoi se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm që të nënshkruajë asociacionin me kusht që ai të mos jetë njëetnik dhe që të mos quhet asociacion për komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, duke iu referuar 15 modeleve të propozuara nga Miroslav Lajçak për asociacionin, që sipas të cilit nuk kanë të bëjnë me Republikën Srpska dhe se nuk e prekin kushtetueshmërinë e Kosovës, Duriqi theksoi se nuk ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri.
“Mendoj se zgjedhjen e parë e ka dhënë faktori gjerman, që kanë mundësuar atë që po kërkon Kurti që të mos jetë një etnik. Modelet e tjera nuk është se dallojnë shumë përveçse në ndonjë fjali. Ajo që po pengon Kurtin dhe ka problem me nënshkruar është që as të mos jetë një etnik.
Për këtë kanë angazhuar edhe një ekspert dhe tashmë ka përgatitur një raport që e ka qeveria, dhe thuhet që duke shikuar bazën e dokumenteve ndërkombëtare që janë miratuar për Kosovën, thotë se nuk mund të jetë një asociacion një etnik. Kushdo prej këtyre modeleve, Kurti do të insistojë që të rimodelohet që në asnjë rrethanë të mos shkruhet se është asociacion i komunave me shumicë serbe.
Pra, që është asociacion i komunave të minoriteteve. Pra, Kurti është pothuajse i gatshëm që të bëjë një asociacion por që të mos jetë asociacioni i komunave me shumicë serbe.”, tha ai./abcnews.al