Deputetja demokrate Grida Duma ka denoncuar buxhetin 2019 të Rilindjes si antisocial dhe në dëm të profesionistëve të cilët i takson edhe në pagën minimale, ul numrin e familjeve në ndihmë ekonomike dhe indekson pensionet vetëm me 2%.
“Buxheti i Rilindjes godet profesionistet me taksim gjobites te pagave përfshi atë minimale, me të varfërit duke i hequr ndihmën ekonomike si dhe mohon borxhin historik ndaj të përndjekurve politikë, gjithçka për të favorizuar shërbyesit e pushtetit.”
Deklarata vjen nga Partia Demokratike nga foltorja e së cilës, deputetja Grida Duma, denoncimin e ndau në tre kategori.
“Nga 103 mijë para 5 vitesh, sot përftojnë afërsisht 80 mijë, minus 50 mijë familje. Paga minimale parashikohet të rritet me 10 mijë lekë, në një kohë kur shtrenjtimi i jetës kërkon një rritje minimale me 40 mijë lekë në muaj për të përballuar rritjen e çmimeve.
Në buxhetin 2019 deklarohet se pensionet do të indeksohen sipas inflacionit, pra maksimumi rritja vjetore do të jetë 2%. Gjatë këtyre pesë viteve, pensionet janë indeksuar si breshka me nga 2 %, ndërsa çmimet dhe faturat e pensionistëve janë rritur deri në 42%“.
E ndërsa një pensionist sipas demokratëve paguan sot bukën 10% më shtrenjtë, ushqimet bazike deri në 35% më shtrenjtë, ujin 40% më shtrenjtë, energjinë 23% më shtrenjtë, shto këtu edhe taksë prone dhe arsimi në disa bashki, indeksimi i pensionit me 2% nuk do të fillojë zbatimin nga data 1 janar, por vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve, thekson Duma.
“Shqipëria renditet e fundit në rajon sa i përket vlerës mesatare të pensionit ( rreth 98 euro), në një kohë kur Maqedonia e ka rreth 191 euro dhe Bosnja rreth 179 euro”.
Buxheti 2019 i Rilindjes gjithashtu përgjysmon fondin për ish-të përndjekurit politikë nga 20 milionë në 10 milionë, duke nxjerrë zbuluar premtimin bosh të socialistëve se askush nuk do të mbetej pa paguar sidomos nga trashëgimtarët e parë, përfundoi Duma. Për këtë, taksimi i sheshtë, anulimi i koncesioneve korruptive, pasqyrimi i shtrenjtimit të jetës në pagën minimale, janë zgjidhja e vetme për tëndaluar shkretimin e Shqipërisë në mundësi dhe njerëz, sipas Partisë Demokratike. /abcnews.al