Dule për Ramën: “Një tiran që ka humbur rrugën e demokracisë, Shqipëria as si Sparta”

schedule09:40 - 23 Nëntor, 2022

schedule 09:40 - 23 Nëntor, 2022

Vangjel Dule ishte në studion e LOG. për të folur për “Epitafin e Perikliut” të Tuqididit (Thukydhidhi), tekst të cilin ai e ka sjellë në shqip si botim i Toenas.

Teksti i historianit Tuqididi dëshmon fjalimin e permortshëm (epitaf) të qytetarit të parë të Athinës, Perikli, mbajtur në vitin 431 para Krishtit, pas verës së parë të luftës së Peloponezit mes Athinës dhe Spartës.

 

Por më shumë se një homazh ndaj të rënëve, teksti konsiderohet si një manual i demokracisë, mishëruar nga Athina e saj kohe.

Teksti është studiuar prej shekujsh në universitetet e mbarë botës dhe etërit themelues të Shteteve të Bashkuara e kanë mbajtur parasysh gjatë hartimit të Kushtetutës amerikane.

Por si do të rezultonte demokracia shqiptare nën optikën e Perikliut?

Vangjel Dule është i prerë kur thotë se parimet e Perikliut për demokraci dhe liri nuk zbatohen në Shqipëri.

Shkelësi më i madh i këtyre parimeve, sipas tij, është qeveria aktuale.

I pyetur nga Endri Xhafo, autori i LOG., se si do ta gjykonte Perikliu aksionin e Edi Ramës, Vangjel Dule e përmblodhi me një fjalë: Tiranì.

Më pas, i pyetur nga Xhafo se me cilin qytet të Greqisë së vjetër mund të krahasohej Shqipëria sot, Dule shtoi: “As me atë të Spartës oligarkike, jo”.

Politikani dhe përkthyesit i “Epitafit…”, dikur koleg dhe mik i Edi Ramës, argumentoi se çdokush mund të ndërrojë rrugë, edhe kur e ka humbur atë, por kjo kërkon kurajo në vend të arrogancës.

Edi Rama, sipas Vangjel Dules, vuan nga ajo që ai quan “tendencë votëkleptike”, pra e vjedhjes së votës. I pyetur nga Xhafo se çfarë e korrupton shpirtin e një politikani, Dule tha: “Nevoja për më shumë pushtet”.

Ndaj shtoi ai, PBDNJ do të marrë pjesë në protestën e 6 dhjetorit./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!