Duka: S’e braktis FSHF-në, Broja i Shqipërisë! Unë presidenti klubi? Kurrë

schedule10:50 - 10 Mars, 2020

schedule 10:50 - 10 Mars, 2020

Armand Duka ka prekur shumë tema në emisionin “Pressing” në ABC News. Shumë pyesin veten se kur do të largohet nga FSHF dhe ai vetë gradualisht po e mendon që do të zëvendësohet nga dikush tjetër dhe përjashton mundësinë që në të ardhmen të investojë në një klub futbolli. Nuk mungojnë as batutat me gazetarin Anton Cicani.

“E para nuk do e braktis kurrë, por do lëviz dhe do vijë dikush tjetër. Do e bëja më qejf një klub futbollin, por se besoj se do ta bëj në të ardhmen. Nuk është se do të kem kaq shumë kohë. Po kalojnë vitet Sule. (Cicani: Ka edhe presidentë klubesh në moshë shumë të madhe). Ore ti do të na thuash që jemi në moshë të madhe, se edhe ti nuk je kaq i ri (qesh)”, shprehet Duka.

 

MIQËSORET – I pyetur nga moderatori Gerti Çarçani në lidhje me miqësoret e programuara me San Marinon dhe Slloveninë, Duka u shpreh: “Është shumë e vështirë ta parashikosh këtë, kemi diskutuar. Vetë Federata Sllovene na ka ofruar të luajmë në Coper. Nuk e dimë si çfarë do të ndodhë deri me 26, 27. Situata është shumë konfuze prej Coronavirusit. Plani ishte të luanim në San Marino dhe Udine. Më pas na kërkuan të vijnë në Tiranë, por u vendos nga qeveria shqiptare të ndaloheshin fluturimet.

Nuk ka asgjë të sigurt, as në Slloveni nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të them gjë me siguri. Tani jemi në situatën që do të luajmë me San Marinon në Tiranë dhe me Slloveninë në Coper. Uroj të mos ndryshojnë, por edhe mund të anulohen. Na duhen shumë këto dy miqësoret e marsit, por edhe dy në qershor. Ka shumë futbollistë që duan të debutojnë dhe stafi ka një listë të gjerë me lojtarë”.

 

ARMANDO BROJA – Sulmuesi debutoi në fundjavë me Chelsea në Premier League dhe më pas në Supersport u shpreh se nuk e di se çfarë do të bëjë nëse Anglia i çon një ftesë atij. Duka garanton që ai dhe babai i tij ia kanë dhënë fjalën që nuk largohet nga Shqipërisë. “Nuk është pak, që në moshën e tij të luash në një ekip të Premier League dhe në një ekip të madh si Chelsea, në një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Everton. Patjetër që është një ngjarje për atë personalisht, por edhe për ne që e konsiderojmë tonin. Anglia? Nuk e kam dëgjuar intervistën e tij, por kam dëgjuar atë që më ka thënë ai dhe babai i tij, që Shqipërinë nuk do ta ndërrojë kurrë”. /abcnews.al