Kreu i PAA, njëherësh aleati i Lulzim Bashës, Agron Duka ka pranuar në studion e Abc News dy gabimet e opozitës.
Sipas Dukës opozita gaboi me djegien e mandateve dhe mos hyrjen në zgjedhjet e 30 qershorit.
“Nuk besoj mendoj se opozita e ka bërë punën e saj. Ka pasur protesta, reagime. Ajo perfekte nuk arrihet asnjëherë, por problemet kryesore janë djegia e mandateve dhe mos hyrja në zgjedhjet vendore. Këto të dyja nuk duhet të përsëriten më. Sado të jesh tifoz me mazhorancën ne do kishim pasur 40% të bashkive. Me këtë pushtet vendor është shumë e vështirë. Ne duhet të ngulim këmbë që të bëhen zgjedhje vendore se i ka të gjitha ai”, tha Duka.
I pyetur nga Juli Xhokaxhi për zërat se ekziston një marrëveshje tjetër Rama-Basha, ai e mohoi kategorikisht. Sipas Dukës nuk ekziston kurrsesi një marrëveshje e tillë, por Rama bën propagandë për të marrë vota.
“Absolutisht nuk më shkon mendja se do të ketë marrëveshje. Rama është mjeshtër për këtë unë. Rama jeton me votat e njerëzve që nuk janë selektive. Këto i influencon ai. Është gati të thotë që kemi marrëdhënie homoseksuale vetëm që të marrë votat”, deklaroi Duka.
Për kreun e PAA veprimet e Presidentit Ilir Meta janë mëse normale.
“Meta gjithë kohën ka bërë punën e vet. Duke qenë në këtë klimë politike, në mënyrë të natyrshme ky duket sikur fiton protagonizëm dhe të jep përshtypjen që po bëhet kryetar i opozitës. Nuk është e vërtetë. Meta është munduar të mbrojë kushtetutën, karshi mazhorancës ka ngel e vetmja opozitë përballë mazhorancës”, tha ai.
Duka komentoi edhe lëvizjen tjetër politike që pritet të formohet ajo mes deputetëve të opozitës parlamentare. Sipas tij ata do e kenë të vështirë të jenë të vetëm, dhe sistemi i detyron të pozicionohen në një koalicion.
“Si Murrizi, Hajdari, Maliqi, ata e kanë shumë të vështirë të hyjnë në një garë elektorale. Por ky sistem nuk të lë vetëm. Nëse do kishte një sistem të ri, ky do fuste forca të reja në politikë. Sistemi është i tillë që i përjashton. Janë të detyruar që puna e parë që duhet të bëjnë është që ta rregullojnë me shefin”, u shpreh Duka, ndërsa shtoi më tej se opozita duhet të afrojë figurat e larguara.
“Ideja ime është që të gjitha forcat që janë anti-Rama të bashkohen në fronte opozitare. E imja, por nuk jam unë që vendos. Do ishte shumë mirë të bashkoheshin, të gjithë ata kanë njerëz, simpatizantë, vota”, tha ai. /abcnews.al