Manchester City është gati për duelin e kthimit të çerekfinaleve të Champions League kundër Dortmund. “Cityzens” fituan 2-1 takimin e parë në shtëpi, teksa nesër do të përballen në “Signal Iduna Park” për një biletë në gjysmëfinale.
Champions mbetet objektivi dhe ëndrra e madhe e klubit anglez, që nuk ka triumfuar kurrë më parë në këtë turne. Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola flet rreth kësaj përballje dhe ekipit të tij në konferencën për shtypin.
“Jemi stërvitur mirë, mezi po presim të zbresim në fushë dhe të përballemi me Dortmund. Në ndeshjen e parë siguruam një rezultat të favorshëm, por edhe nesër do të luajmë për fitore, pasi nuk ka rëndësi fare rezultati i ndeshjes së parë.
Ideja jonë është të luajmë një futboll sa më të bukur, pa dhënë ndjesinë e dëshirës së mbrojtjes së rezultatit të ndeshjes së parë. Ne duam të imponojmë lojën tonë për të shkuar te fitorja e takimit.
Jemi ekipi i parë që ka siguruar kualifikimin për sezonin e ardhshëm në Champions League. Hera e 11-të radhazi që do të marrim pjesë në këtë kompeticion, asnjë skuadër angleze nuk e ka arritur më parë një gjë të tillë“, deklaroi Guardiola.
Trajneri i “Cityzens” ka një koment edhe për rikthimin e tifozëve në stadium. Finalja e Carabao Cup kundër Tottenham (25 prill) do të ketë të pranishëm 8 mijë tifozë në shkallët e mitikut “Wembley”, lajm që gëzon trajnerin spanjoll.
“Padyshim që ky është një lajm shumë i mirë. Shpresojmë që t’i rikthehemi normalitetit në të ardhmen, ky është hapi i parë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë të ndjekim direktivat e qeverisë dhe shkencëtarëve“. /abcnews.al