“Duarartat” e Kukësit/ Artizanet që rikthejnë traditën e sixhadeve të Lumës

schedule20:10 - 3 Maj, 2025

schedule 20:10 - 3 Maj, 2025

KUKËS- Artizanet duararta të Kukësit janë mbledhur sërish bashkë për të risjellë edhe njëherë traditën e kahershme të prodhimit të sixhadeve e qilimave me famë të Lumes.

Afërdita Haziri, njëra prej artizaneve më me përvojë ka në dorë një sixhade. Përdor veglat e dikurshme të punës…

Afërdita, por edhe Barije Ahmeti e Fadile Kamberaj I kanë pothuajse gjysmë shekulli punë.

Edhe pse u mbyll ndërmarrja artistike pas viteve ‘90, aktivitetin e kanë ushtruar privatisht. E kanë nisur që në mesin e viteve ‘70 dhe nuk e kanë ndërprerë asnjë ditë prodhimin e sixhadeve.

Afërdita tregon se është një profesion I vështirë. Të punosh për të prodhuar një sixhade kërkohet përqendrim. Nuk mban mend se sa prodhime kanë dalë nga duart e saj të cilat kanë mbërritur deri në Amerikën e largët.

Më shumë se dy muaj punë kërkohet për të prodhuar një sixhade. Sixhadja me fije leshi është e pavdekshme, rezistente, cilësore, por më kryesorja edhe figurante.

Motivet tradicionale janë më të preferuarat ndaj edhe artizanet po I mbartin e trashëgojnë ndër breza.

Për lloje të ndryshme punimesh, aplikohen teknika të ndryshme.

Afërdita, por edhe dy zonjat e tjera me përvojë, po afrojnë edhe të rejat për të punuar si artizane.

Anila Kamberaj është e bija e Fadiles. I ka qëndruar pranë në çdo punim prej vitesh, ndërsa tani punon në krah me të ëmën.

Artizanet me përvojë thonë se kjo traditë nuk duhet të humbasë e të rejat të afrohen sa më shumë për ta përvetësuar. Ky projekt është mbështetur nga ministria e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!