Luis Alberto është një pikat më të forta të Lazios dhe sezonin e fundit shkëlqeu, duke shënuar 6 gola dhe duke dhuruar 15 asiste për shokët e skuadrës. Bardhekaltrit ishin në garë për titullin kampion me Juventusin, teksa në fund u mjaftuan me kualifikimin në Champions League.
Fantazisti spanjoll ka folur për Lazio Style Channel rreth ekipit, përgatitjeve për sezonin e ri, paraqitjeve të tij personale, asistit më të bukur të sezonit të kaluar dhe emocioneve të aktivizimit në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.
“Jemi një grup i bashkuar dhe po punojmë mirë. Luajmë bashkë prej pesë vitesh dhe e njohim njëri-tjetrin në perfeksion. Jemi pjekur të gjithë, një cilësi që i mungonte Lazios më parë. Tani do të luajmë në Champions League dhe do të përballemi me lojtarët më të mirë në botë.
Kampionati i fundit ka qenë shumë i rëndësishëm për mua, jam i kënaqur me rendimentin tim. Për fat të keq, pas pandemisë nuk ia dola të dhuroja performanca të nivelit të lartë. Po punoj fort për të luajtur një sezon më të mirë.
Asisti më i bukur? Më i vështiri ka qenë ai për Milinkovic-Savic në ndeshjen ndaj Juventusit. Pas pesë muajve të parë në Romë, e kuptova se duhet të ndryshoja diçka në aspektin psikologjik. Ia dola dhe në fund doli në pah talenti që zotëroj“, deklaron Luis Alberto.
Nga Oronzo di Cadore, aty ku skuadra kryeqytetase po zhvillon fazën përgatitore, ka folur edhe Simone Inzaghi. Trajneri i Lazios flet rreth merkatos dhe konfirmon interesimin për Vedat Muriqin, sulmuesin dardan të Fenerbahce.
“Jam i lumtur për ardhjen e Pepe Reina. Tani kemi dy portierë të besueshëm dhe impenjimet do të jenë të shumta për të dy. Merkato? Na intereson Muriqi dhe po negociojmë për blerjen e tij“, deklaron trajneri i Lazios. /abcnews.al