Armando Broja nuk ka zgjedhur rastësisht të luajë në Holandë. Ai e di shumë mirë se emra të mëdhenj si Ronaldo, Ibrahimovic dhe Suarez kanë shkëlqyer pikërisht atje dhe më pas kanë bërë histori në klubet më të mëdha të Europës. Djaloshi nga Malësia e Madhe, autor i 9 golave dhe dy asisteve me Vitesse, ëndrrat i ka të mëdha dhe pa frikë në një intervistë për Goal është shprehur se dëshiron të bëhet më i mirë se Didier Drogba.
“Ronaldo Fenomeni ishte i pabesueshëm, ndoshta sulmuesi më i mirë i të gjithë kohërave. Isha shumë i vogël për ta parë atë në TV, por kam parë shumë video të tij në YouTube. E dija që kishte ardhur fillimisht te PSV, e di që Suarez dhe Zlatan ishin tek Ajax. Shumë sulmues të mirë kanë luajtur sezonin e tyre të parë në Holandë, kështu që mendova se është një vend i shkëlqyer për të mësuar dhe për t’u zhvilluar”, është shprehur fillimisht Broja.
Transferimi i tij në Holandë nuk ka qenë i lehtë. “Me të vërtetë duhet të luftoja për Armandon. Nuk ishte ‘E dua’ dhe ‘u mbyll. Me të vërtetë duhet ta bindja atë. Nëse thotë jo, jo. Ne duhet të bindnin klubin e Chelsea se ishte gati për t’u huazuar. Duhet të siguroheshim që të gjithë ishin të bindur se ishte hapi i duhur për të. Ka marrëdhënie të mirë mes klubeve, por asgjë nuk ndodh për shkak të pronarëve. Sigurisht dyert hapen nga ajo”, tregon drejtori sportiv i Vitesse, Johannes Spors.
Kur ishte 6 vjeç, londinezët e Tottenham e kishin pikasur Brojën. Gjithsesi Chelsea ua mori shumë shpejt dhe pas kësaj ka një histori interesante. “Një skaut i Tottenham erdhi në një turne, kur isha pjesë e Burnham Juniors, për të parë një lojtar tjetër. Luajta mirë, fitova çmimin lojtari më i mirë dhe isha golashënuesi i turneut. Skauti erdhi dhe foli me prindërit e mi dhe me mua, duke më thënë se do të donte të provohesha te Tottenham.
Kisha vetëm një seancë me ta dhe drejtori i akademisë donte të firmosja. Më donte edhe Fulham, por zgjodha Tottenham. Tottenham ka shumë rivalitet me Chelsea. Unë i kam mbështetur dhe i kam dashur ata, por gjithmonë doja të luaja kundër tyre dhe të shënoja. Kjo sepse doja të luaja me Chelsea. Fatkeqësisht isha në stol kunder tyre dhe isha i zemëruar. Drejtues të Chelsea po e shikonin ndeshjen dhe mendova t’u bija në sy nëse futesha në lojë.
Barazuam kundër ekipit të parë të Chelsea dhe pastaj luajtëm kundër ekipit B dhe më duket fituam 9-0. Shënova shtatë prej tyre. Skautët e Chelsea erdhën dhe më thanë se donin të më kishin në akademinë e tyre. Isha shumë i lumtur, pasi mund të luaja me klubin që mbështesja. Unë ndihesha sikur doja të thoja: ‘Po, duam të jem aty, Chelsea është klubi që dua’. Kam qenë pjesë e tyre që me ekipet U-9”.
Broja pati një moment të vështirë, kur u bë pjesë e Chelsea U18. “Në vitin e parë në ekip, kur isha 17 vjeç, nuk pata një sezon të mirë. Isha në stol dhe kur nuk merr një shans vuan. Shënova dy gola gjatë gjithë sezoni dhe isha me të vërtetë i pezmatuar. Prindërit po përpiqeshin të më ndihmonin dhe të më inkurajonin, por unë e kisha humbur besimin.
Edhe në stërvitje humbja shumë raste dhe luaja pak. Pastaj prindërit më nxitën të luaja me Shqipërinë, që më kishte thirrur të luaja me ta në verë. Bëhej fjalë për kombëtaren e 19-vjeçarëve. Mendova se do ishte gjëja e duhur të shkoja, të merrja pak besim në një skuadër tjetër dhe me lojtarë të tjerë. Kisha nevoja ta hiqja mendjen nga Chelsea”.
Gjërat nisën të ndryshonin, Broja shënoi pesë gola në katër ndeshje me Shqipërinë U19. Më pas ndëshkoi edhe Uellsin dy herë në ndeshjen debutuese me Shqipërinë U21. Sulmuesi u bë edhe një nga lojtarët kryesorë të Chelsea, duke arritur të realizonte 19 gola me skuadrën londineze. Djaloshi nga Malësia e Madhe debutoi edhe në Premier League dhe tani kishte nisur një tjetër epokë për të.
“Gjithçka ishte e mrekullueshme. Krah meje ishin Lampard, Drogba ose John Terry, kur unë sikur i shihja ata vërdallë. Mbaroja të bëja foto me ta, sepse doja të bëhesha si ata. Doja të ecja në gjurmët e tyre, në nivelet më të larta. Tani i afrohem moshës kur ata ishin duke luajtur dhe dua të provoj të tejkaloj Drogbanë. Mund të mos jetë e lehtë, por ky është mentaliteti im dhe mënyra se si ndihem”, përfundon Broja. /abcnews.al