Dua Lipa e ka bërë të qartë! Askush nuk mund ta përdor imazhin e saj pa leje. Ylli i muzikës pop ka ngritur një padi prej 15 milionë dollarësh kundër Samsung, duke pretenduar se kompania ka përdorur imazhin e saj në paketimin e televizorëve të pa marrë më parë miratim.
Krijuesja e hitit “Don’t start now” akuzon kompaninë koreanojugore se ka përdorur në mënyrë të dukshme një fotografi të fytyrës së saj pa pëlqimin e saj në modele të ndryshme televizorësh të shitur në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Padia u ngrit të premten në Gjykatën e Qarkut Qendror të Kalifornisë dhe në të thuhet se ambalazhi i Samsung ishte “i projektuar për të përfituar në mënyrë të papërshtatshme nga suksesi i fituar me mund i këngëtares me origjinë shqiptare, për të promovuar dhe shitur produktet e Samsung”.
Padia përfshin akuza për shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të markës tregtare dhe përvetësim të ngjashmërisë dhe imazhit të Dua Lipës.
Sipas padisë, fotoja është bërë gjatë performancës së këngëtares në Festivalin Austin City Limits 2024 dhe ajo zotëron të drejtat e autorit për fotografinë.
Ylli i muzikës pop u njoftua për herë të parë për paraqitjen e saj në kutitë Samsung në qershor 2025, kur fansat në mediat sociale gjithashtu filluan të postonin rreth saj, duke e përshkruar atë si “Kutia e TV Dua Lipa”.
Padia vuri në dukje dy komente specifike në Instagram, një ku një përdorues tha se do ta “merrte atë televizor vetëm sepse Dua është në të”, dhe një tjetër që shkruante: “Nëse dooni të shisni diçka thjesht vendosni një fotografi të Dua Lipës në të”.
Sipas ekipit ligjor të këngëtares 30-vjeçare, Samsung me sa duket i ka injoruar kërkesat e përsëritura për të hequr imazhin dhe për t’u tërhequr nga shkelja e të drejtave të saj.


