Qeveria Shqiptare ka urdhëruar pensionistët të mos dalin nga banesat e tyre pasi pensionet dhe nevojat e tyre bazë do t’i kenë në banesat e tyre përmes Postës Shqiptare dhe Shërbimeve Sociale.
Por për shkak të sistemit të adresave dhe fluksit të shtuar pagesat e pensioneve kanë vonesa, duke i detyruar të moshuarit të thyejnë vendimin e qeverisë dhe të shkojnë fizikisht në dyert e postës.
Ky çift pensionistësh priti për 5 ditë që postieri t’i trokiste në derë për t’i sjellë pensionin dhe kur gjendja e tyre ekonomike u rëndua ata dolën shkuan vetë në dyert e postës për të kërkuar pagesën e tyre mujore.
“U mundova se nuk kam lekë, dua të ha. E kishim për të marrë pensionin në datën 12, na thanë që do merret në shtëpi. Në shtëpi nuk na i prunë, kishim marrë ca borxhe dhe erdha tani të marr pensionin”.
“Erdha të marr pensionin se jam pa bukë. S’më kanë dhënë pensionin. Rri në shtëpi thonë këta por në shtëpi….”
Punonjësit e Postës Shqiptare janë duke marrë adresat dhe numrat e kontaktit të pensionistëve që vijnë në sportelet e postës shqiptare, duke kërkuar nga të moshuarit që të jenë familjarët ata që të bëjnë përditësimin e të dhënave.
Punonjësja e postës: Familjarët mund të paraqiten, të marrin në telefon…
Pensionistja: Jemi vetëm zonjushe, skemi njerëz.
Punonjësja e postës: Do ja u sjelli postieri direkt në shtëpi, mos u mërzisni…
Pensionistja: Moj dua lekët të marr bukë, një qepë..
Punonjësja e postës: Do ja u sjelli postieri në shtëpi direkt….
Pensionistja: Moj postieri nuk do psonisë për mua…
Punonjësja e postës: Ju lutem, do ja u sjelli postieri në shtëpi….
Pensionistja: Po pse do dal prapë unë pastaj? Dua lekët të marr bukën…
Por ky çift nuk ishin të vetmit të moshuar që kishin thyer urdhrin e qeverisë për izolimin e tyre.
Me vendim të qeverisë, pensionistët nga e marta e kësaj jave e kanë të ndaluar të dalin nga shtëpia e tyre.
Për pensionet Posta Shqiptare ka marrë urdhër për t’i shpërndarë në çdo banesë ndërkohë që punonjësit socialë janë ngarkuar për të plotësuar nevojat bazë të tyre./abcnews.al