Quique Setien nuk është një trajner shumë i njohur, por në Barcelonë janë të bindur për zgjidhjen e bërë dhe besojnë se shumë shpejt të gjithë do të befasohen nga aftësitë e trajnerit të ri. Mundo Deportivo ka kujtuar një detaj interesant që ndodhi gjatë vitit të kaluar.
Setien ndodhej në stolin e Betis dhe ia dilte të fitonte 3-4 në “Camp Nou” përballë ekipit katalanas. Ishte 11 nëntori i vitit 2018 dhe të dy ekipet zhvillonin një ndeshje spektakolare. Lojtarët e mëdhenj te Barcelona janë të shumtë, por trajneri që zëvendësoi Valverden në pankinë ka një debulesë për njërin prej tyre.
I preferuari i 61-vjeçarit është Sergio Busquets dhe tani do ketë fatin ta stërvitë nga afër. “Dua të më dhurosh bluzën tënde dhe të më bësh një dedikim, do e ruaj si kornizë“, i kërkoi Setien mesfushorit. Pasi u përqafuan me njëri-tjetrin, 31-vjeçari respektoi kërkesën e trajnerit, duke zbuluar se vlerësonte shumë stilin ofensiv të Setien.
“Quiques, me respekt dhe admirim për vizionin tënd të futbollit“, ishin fjalët e zgjedhura nga Sergio Busquets. Lumturi e madhe për Setien, por më e madhe do të jetë tani që do të punojë nga afër me një nga lojtarët që vlerëson më shumë. /abcnews.al
