Ermir Lenjani është një nga futbollistët me më shumë eksperiencë te kombëtarja shqiptare. 30-vjeçari i linjës së majtë, debutoi me Shqipërinë në nëntorin e vitit 2013 dhe numëron 3 gola të shënuar në 32 ndeshje.
Lojtari i Sion në Zvicër, ka dhënë një rrëfim emocionues për Telegrafi Sport. Lenjani është rikthyer pas në kohë dhe risjell detaje nga dueli i paharrueshëm Serbi-Shqipëri, ndeshje që nisi në 14 tetor të vitit 2014 dhe nuk mbaroi kurrë.
KOMBËTARJA – “Fanella e Kombëtares të jep ndjesi të veçantë kur e vesh, që fëmijë e kam dashur që ta vesh dhe ishte e papërshkrueshme. Ndeshja në Serbi? Ka qenë shumë e nxehtë ajo transfertë. Kishim dhe ne atë sikletin tonë kur u futëm në fushë, por e kuptuam shpejt se ishim aty për të luftuar dhe për të mbrojtur fanellën e Shqipërisë”.
NDESHJA NË BEOGRAD – “Në ato 20 minutat e para ishin më mirë serbët, por pastaj ne e morëm veten dhe ata e panë se nuk po luanin dot më kundër nesh. Pastaj nisën me sharjet. Kur erdhi droni, në fillim nuk e kuptonim se çfarë ishte duke fluturuar në stadium. Kur e pamë se ishte nga ana e Shqipërisë, midis Beogradit, sigurisht që jemi ndjerë shumë të lumtur. Në atë moment erdhën të gjithë si të egër, ndërsa ne kishim adrenalinën në trup dhe donim vetëm të mbronim veten, shokët e skuadrës dhe flamurin e Shqipërisë”.
IVANOVIC – “Kur u futëm në dhomat e zhveshjes dhe po na gjuante edhe policia, erdhi kapiteni i Ivanovic dhe tha: “Më falni për çfarë ndodhi, a mundet të vini të luani prapë?” Po si mund t’i besosh një shkau, le të thotë më fal, por atyre nuk u beson dot, pasi të vret më shumë pas shpine”.
SION – “Ne kemi një president shumë të çmendur te Sioni. Gjithmonë ndodh diçka në këtë ekip. Na hoqi nga skuadra sapo plasi koronavirusi. Unë i kam shkruar direkt presidentit të klubit, i kam thënë që kam tre vite në këtë ekip dhe tifozët më duan. Tani na ka kthyer 4 lojtarë dhe jemi mirë, bashkë edhe me Kasamin. Edhe tifozët janë gëzuar për këtë gjë”.
PANUCCI – ”Nuk kisha vetëm unë probleme me të, kishte shumë lojtarë të pakënaqur, por nuk e thonin. Panucci kishte karakter shumë të keq, nga mëngjesi e deri në darkë të thoshte: “qepeni!”. Nuk e di se çfarë është një gjë e tillë, megjithëse kam respekt për të si lojtar”. /abcnews.al