Një ri shqiptar është arrestuar orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune në Itali për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas policisë aksioni ndaj 26-vjeçarit, identiteti i së cilit nuk bëhet i ditur, është kryer pas disa sinjalizimeve për lëvizje të dyshimta në zonën e Reggimentos.
Ai u kap në makinën e tij, pasi shkoi në qendër të fshatit në mes të natës. Sipas mediave italiane, shqiptari u bë nervoz dhe nuk u shpjegoi dot asgjë agjentëve, të cilët i kërkuan të tregonte se çfarë bënte aty.
Pas kontrollit personal dhe më pas makinës, u zbulua se shqiptari fshihte 12 doza drogë, të cilat pas verifikimeve rezultoi se ishte kokainë me një peshë prej 7 gramësh. Për ta siguruar drogën, i riu e kishte fshehur pas pasqyrës së makinës.
Por telashet për të nuk përfunduan këtu, pasi u ushtrua edhe një kontroll tjetër në banesën e tij. Aty u gjetën sasi të tjera lëndësh narkotike, peshore elektronike dhe 22 mijë euro në dhomën e gjumit./abcnews.al