Policia e Shtetit ka zbuluar detaje të reja nga operacioni i kryer ditën e mërkurë në Qafë Thanë. Për furgonin në të cilën ndodheshin 578 kilogramë kanabis janë ndaluar 8 persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Dyshohet se pas këtij trafiku droge fshihet një organizatë e fuqishme kriminale dhe hetimet për këtë rast janë shtrirë në Elbasan, Fier dhe Korçë.
578 kilogramë kanabis u gjendën në furgonin që u bllokua të mërkurën në segmentin rrugor të Qafë Thanës. Mjet tip “Iveco” me targë AA 356 NA i përket një firme fasonerie nga Fieri “Silda SH.P.K.” me pronar Ilir Dautin. Sasia e lëndës narkotike ishte fshehur në shasinë e furgonit të mallrave me ngjyrë të bardhë.
Dyshohet se mjeti do të kalonte fillimisht në shtetin fqinj të Maqedonisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës. Policia ka bërë me dije se në operacionin e koduar “Uraka 2” janë ndaluar 8 persona si të përfshirë në këtë trafik droge dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Gjithashtu u bllokuan dhe dy automjete të marra me qera nga këta shtetas në Fier, dhe u sekuestruan 14 aparate celularë dhe 5800 euro.
Aksioni është kryer nga Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Policia dyshon se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të lëndëve narkotike. Hetimi sipas burimeve zyrtare është shtrirë në qarqet e Elbasanit dhe të Fierit dhe Korçës./abcnews.al