Ditën e sotme në Portin e Durrësit u zbuluan më shumë se 53 pako me kokainë, të fshehura në dy çanta, në anijen me kapiten rus, e cila po transportonte 6500 ton qymyr nga Kolumbia në vendin tonë.
Në emisionin “Open” të Eni Vasilit, në News 24, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja mbi këtë operacion të policisë. Lala tha se në fakt kjo është hera e parë që droga transportohet me këtë “teknikë”, pasi rëndomë është zbuluar në kontejner me banane.
Duke mos zbuluar shumë për shkak të hetimeve në ende në vijim, Lala tha se ka dyshime se qymyri ishte porositur nga një kompani shqiptare e cila merret me krom. Gazetarja tregon droga e fshehur në qymyr është shumë e vështirë të deduktohet sepse qymyri nuk kalon në skaner, ndërsa tha se policia e ka zbuluar atë pas disa informacioneve që ka marrë të cilat e kanë sinjalizuar.
“Është një anije që ka qymyr, është e hapur, nuk është e ndarë në paleta, nuk ka pasur ndalesa në porte të tjera, është nisur në 26 prill nga Kolumbia dhe ka mbërritur në 16 maj në Durrës, sot është konstatuar droga, dyshohet për kokainë, e ndarë në 53 pako, kapiten një shtetas rus, ndërkohë gjithë ekuipazhi sot është marrë në pyetje. Ende se dimë sa është sasi në total, deri nesër mbrëma mund të përfundojë shkarkimi i gjithë sasisë së qymyrit dhe ka dyshime se mund të kemi ende sasi droge në të.
Lexo edhe: U kapën rreth 59 kg kokainë që vinte nga Kolumbia, pamje me dron nga anija në portin e Durrësit
Në pjesën dërrmuese sasitë e kokainës kanë hyrë në Shqipëri përmes kontejnerëve të bananeve. Në informacionet e mia është një kompani që merret me kromin dhe për këtë arsye ka porositur këtë sasi të madhe qymyri, kam përshtypjen që është kompani shqiptare, por nuk mund të jap më tepër detaje. Kjo është hera e parë që droga kapet në qymyr, në këtë mënyrë nuk dedektohet sepse nuk kalon në skaner qymyri. Edhe pse policia nuk e pranon, është tentuar të shitet si aksion rastësor, por nga informacionet që kam nuk është rastësi, ka dyshime se ka pasur informacion paraprak se ka të bëjë me një grup të strukturuar kriminal. Ndryshimi i taktikave është shumë interesant, sepse kjo është hera e parë që droga kapet në qymyr të hapur”, tha Lala.