Dritan Shano: PD duhet të ndahet nga e shkuara, Basha të bëhet kryetar dhe të marrë vendimin

schedule21:39 - 7 Shtator, 2021

schedule 21:39 - 7 Shtator, 2021

Eksperti i Ekonomisë pranë PD-së Dritan Shano deklaroi në “Log.” në ABC, se qëndrimi i Berishës në parti e vendos këtë të fundit në pozicion anti-amerikan.

Shano theksoi se Berisha duhet ta kishte zgjidhur vetë përplasjen me SHBA-të pas shpalljes non-grata, dhe të mos ia ngarkonte atë Partisë Demokratike. Ndalur tek roli i Bashës, Shanoi shtoi se në pozitën e kryetarit, duhet të kishte marrë një vendim për ta ndarë PD-në nga e shkuara.

“Diskutimi është gjithmonë politik. Ta mbash Berishën në parti e vendos atë në pozicion anti-amerikan. Këtë duhet ta kishte zgjidhur Berisha vetë, mos t’ia ngarkonte Partisë Demokratike. Kur Berisha dhe SHBA flasin për njërin tjetrin e dinë fare mirë se çfarë janë duke thënë.

Ky njeri që është në pozicion të vështirë duhet të kishte marrë një vendim. Kur  ti kërkon të bëhesh kryetar, kjo është ajo që duhet bërë.  PD duhet të ndahet nga e shkuara e saj sado e lavdishme të ketë qenë ajo. Berisha është një realitet i PD dhe të arrish në këtë pikë do të thotë se ka gabim të matjes së performancës. Unë mendoja se Berisha me performancën e vet në krye të shtetit, do I kishte dhënë një drejtim. I qëndroj asaj që thashë, ky është një diskutim politik dhe jo ligjor”, tha Shano.

Ai deklaroi se forumit të partisë Demokratike duhet t’i vihen në dispozicion informacione nga SHBA në lidhje me shpalljen non-grata të Berishës, që të marrin një vendim duke qenë të informuar mbi shkaqet.

“Autoriteti i Berishës në PD është i padiskutueshëm. Nëse Basha ka pakte me ambasadën amerikane, janë pakte personale sepse nuk i ka diskutuar me asnjë nga forumet e partisë. PD duhet të vendosë nëse për ta është më e shëndetshme që Berisha të jetë në parlament. Forumet duhet të marrin një vendim të informuar. Këto informacione duhet t’u vihen në dispozicion forumeve të partisë. Kjo situatë duhet të mbarojë sa më shpejt”, u shpreh ai. m.v/abcnews.al