Drita pësoi disfatën e dytë radhazi në kampionatin e Kosovës teksa gjilanasit u mposhtën në transfertë nga Dukagjini me rezultatin 1-0. Vendasve iu mjaftoi një gol i Morinës në minutën e 58 me këtë të fundit që u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Dukagjini menaxhoi më së miri avantazhin deri në fundin e ndeshjes, duke futur kështu në krizë Dritën që nuk fiton prej tre ndeshjesh. Pas kësaj humbje, Drita renditet në vendin e dytë me 22 pikë, por duke humbur shumë terren me Ballkanin kryesues që për momentin është shtatë pikë përpara. Nga ana tjetër, Dukagjini ngjitet në kuotën e 17 pikëve në vend të pestë.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të javës së 12-të, Fushë Kosova nuk gaboi në shtëpi përballë Lirisë duke fituar me shifrat 2-0. Dy golat e vendasve u shënuan në pjesën e dytë nga Ivkic dhe Meziu. Pas këtij suksesi, Fushë Kosova ngjitet në kuotën e 10 pikëve në vend të nëntë duke lënë të fundit në renditje pikërisht Lirinë me tetë pikë.