Drini në Lezhë po shndërrohet në kanal kullues, eksperti i mjedisit: Të disiplinohen shkarkimet

schedule18:38 - 28 Maj, 2020

schedule 18:38 - 28 Maj, 2020

Ujërat që përshkojnë qytetin e Lezhës janë të ndotura. Nga ngjyra e tyre dallohet qartë se nuk ka një rrjedhe  të vazhdueshme, ndërsa aroma e pakëndshme ka shkaktuar problematike për banorët në të dy anët e të ashtëquajturit Lumi Drin.

Nga një mundësi për turizmin dhe për zhvillimin ekonomik të Lezhës, lumi Drin që përshkon këtë qytet është kthyer në një ujëmbledhës të ujërave të zeza, të mbetjeve të ndryshme urbane si edhe të mbetjeve industriale duke u kthyer kështu në një shqetësim për banorët e Lezhës.

Ujërat e zeza vazhdojnë të shkarkohen aty dhe pamjet s’kanë nevojë për shumë komente pasi e tregojnë qartë. Eksperti i mjedisit Gjergj Elezi ka dhënë disa rekomandime për mënyrën se si mund të zgjidhen këto problematika.

 “Duhet që të evidentohen burimet e shkarkimeve nga ato më të voglat deri tek aktivitetet e ndryshme industriale. Duhet të disiplinohen shkarkimet në Drin. Është e domosdoshme hapja e një rrjedhe që  lumi të kalojë aty ku ka qenë. Kjo do të ndikonte shumë në pastrimin e Drinit, pasi do të largonte sedimentet që sjellin përmbytjet. Drini kështu është thyer në një kanal kullues”, u shpreh ai.

Ambientalisti Elezi ka dhe një apel për pushtetin vendor.

“Drini duhet të jetë prioritet i pushtetit lokal sepse është një pasuri natyrore që ndonjë qytet, rrallë mund ta ketë. Ndaj sugjeroj që të caktohen përgjegjës vetëm për Drinin”, theksoi Elezi.

Gjithashtu mungesa e vëmendjes nga pushtetarët kundrejt këtij lumi ka kosto serioze.

“Kostoja më e madhe është imazhi që krijon tek turistët ndotja e grykëderdhjes, apo ndotja e plazheve të Shëngjinit dhe të Talës. Vetëm imazhi është një kosto e paimagjinueshme për bizneset që merren me turizmin”, tha më tej ai.

Sakaq pushteti lokal ndër vite ka synuar që ky lumë të kthehet në një atraksion turistik, kryesisht për qëllime sportive. Por në gjendjen që është nuk do guxojë askush që të kryejë aktivitete të tilla./abcnews.al