Drejtuesja e misionit të OSBE-së: Çfarë na intereson nga zgjedhjet e Qershorit

schedule12:49 - 24 Maj, 2019

schedule 12:49 - 24 Maj, 2019

Vëzhguesit zgjedhorë të OSBE/ODIHR-it mbajtën një konferencë për shtyp, në Tiranë mesditën e kësaj të premteje për hapjen zyrtare të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit 2019 në Shqipëri.

Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, ambasadorja Audrey Glover, paraqiti rolin e misionit. Ajo u shpreh se interesi i OSBE-së është që në Shqipëri procesi zgjedhor të jetë transparent.

Ne nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve. Ajo që na intereson është që procesi të jetë transparent dhe të kryhet dhe të zhvillohet në përputhje me angazhimet e OSBE. Me angazhime kam parasysh ato që kam parasysh që janë barazia, fshehtësia dhe paanshmëria. Jemi të interesuar që të shohim që rezultatet të dalin dhe të shpallen në mënyrë korrekte dhe transparente”, tha Glover.

Glover u shpreh se në ekipin e misionit të OSBE/ODHIR janë ekspertë ligjore, ekspertë për zgjedhje, analistë politikë, analistë për mediat, ekspertë për pakicat kombëtare, etj, të cilët një ditë pas zgjedhjeve do të lëshojnë një deklaratë paraprake mbi gjetjet dhe përfundimet.

“Këto janë zgjedhjet e 14 që OSBE/ODHIR ka vëzhguar në këtë vend. Kemi pasur kënaqësinë të kishim bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe shpresoj që të kemi po të njëjtin bashkëpunim të mirë edhe në javët në vijim. Jemi pritur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe KQZ dhe dua t’i falënderoj ata për bashkëpunimin që kemi pasur deri tani.

Anëtarët e misionit të OSBE/ODHIR në Tiranë, që janë të ekipit bërthamë, janë 10 dhe vijnë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE. Kemi ekspertë ligjore, ekspertë për zgjedhje, analistë politike, analistë për mediat, ekspertë për pakicat kombëtare, koordinatorë për vëzhguesit afat gjatë të zgjedhjeve, ekspertë në anën operacionale, një ekspert për prokurorimet dhe kemi zv/shefin e misionit. Së shpejti do të kemi dhe 18 vëzhgues afatgjatë. Direkt para zgjedhjeve shpresojmë që të kemi 250 vëzhgues afatshkurtër”, tha Glover.

Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve do të jetë në partneritet me një delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës për vëzhgimin dhe lëshimin e një deklarate paraprake mbi gjetjet dhe përfundimet, në ditën pas zgjedhjeve. Ardhja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve bëhet në bazë të një ftese nga qeveria shqiptare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!