“Drejtori i doganave i përfshirë në ngarkesën me 400 kg kokainë”, opozita akuza Albin Kurtit

schedule20:45 - 27 Maj, 2021

schedule 20:45 - 27 Maj, 2021

400 kg kokainë e kapur më 18 maj në Lipjan, pas një operacioni ndërkombëtar të drejtuar nga anti-mafia italiane, ka shkaktuar debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri ka hedhur akuza ndaj qeverisë së Albin Kurtit, si e përfshirë në këtë trafik të lëndëve narkotike.

“A mund të dalësh të sqarosh, si ka mundësi që vëllai i drejtorit të Doganës që t’i e ke emëruar ka kryer dorëzimin e kamionit ku u kapën 400 kg kokainë. Ky është mega skandal dhe t’i ende s’ke marrë asnjë veprim. Të paktën duhet të ishte sqaruar se çfarë fshihej pas këtij skandali. Në fillim u raportua për 2200 kg kokainë e në fund u tha se u kapën vetëm 400 dhe ky është një tjetër skandal. Ku mbetën edhe 1800 kg. Dil kryeministër dhe na sqaro të gjithëve për këtë skandal”, është shprehur Tahiri.

Por kreu i qeverisë ka preferuar të heshtë dhe të mos reagojë për akuzat e hedhura ndaj zyrtarëve.

Pas këtyre deklaratave të opozitës parlamentare, Dogana e Kosovës ka dalë me një reagim publik duke mohuar akuzat e Tahirit.

“Në rast se Deputeti nuk tërheq fjalët e pa vërteta dhe nuk i kërkon falje publike Doganës së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm do të ushtroj të drejtën e tij qytetare, për të ngritur padi në Gjykatën kompetente për dëmin që i është bërë Doganës së Kosovës, zt. Llugaliu dhe familjes së tij. Ftojmë prokurorin që të nis hetimin e të zbardhë të vërtetën”, thuhet në deklaratë.

Kritikat e opozitës për Kurtin, kanë vazhduar në këtë seancë parlamentare, edhe për deklaratën e dhënë në Bruksel, ku kreu i qeverisë u shpreh se kriminelët e luftës duhet të largohen nga politika.

“Unë kam folur për kriminelët e luftës dhe të paqes. Ushtarët e UÇK-së nuk janë kriminelë. Serbia e dinë për këtë e kam pasur, po ashtu Brukseli e dine. Besoj që kriminelë të luftës nuk ka vetëm në Serbi, por edhe në veri të Kosovës, ka dhe në Bosnje por ndoshta edhe në Malin e Zi. Darka e punës ishte multilaterale”, tha Kurti.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!