BE ka mbetur i zhgënjyer nga ecuria e reformës në drejtësi në vendet kandidate për anëtarësim. Në një sesion të mbajtur në Parlamentin Europian, pjesëmarrësit kanë shprehur shqetësimin për zvarritjen e këtij procesi nga ish-vendet komuniste, përfshirë Shqipërinë. Ndërkohë, presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio ka deklaruar se mentaliteti i shumë liderëve ballkanas se kush fiton zgjedhjet i merr të gjitha, përbën rrezik për shtetin ligjor.
Demokracia, shteti ligjor dhe të drejtat themelore në vendet kandidate kanë qenë në qendër të një dëgjesë publike të organizuar nga Parlamenti Europian me përfaqësues të Bashkimit Europian, të Komisionit të Venecias, të OMN-së dhe shoqërisë civile nga Ballkani. Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio ka cilësuar si të rrezikshëm për shtetin ligjor mentalitetin e fituesve të proceseve zgjedhore në Europë që qeverisin pa asnjë kufizim dhe nuk respektojnë Gjykatat Kushtetuese. Ai ka shprehur zhgënjim për reformën e drejtësisë në vendet kandidate 30 vjet pas komunizmit.
Gianni Buquicchio, Komisioni i Venecias: “Në Europë po përballemi gjithnjë e më shumë me një tendencë populiste, sipas të cilës ai që fiton zgjedhjet i jep të drejtën shumicës që të qeverisë pa asnjë kufizim. Ky mentalitet, sipas të cilit fituesi merr gjithçka, është i rrezikshëm për shtetin ligjor. Në disa vende kandidate, pavarësisht reformave, rezultatet për reformimin e drejtësisë janë zhgënjyese. Si mund të shpjegojmë që pas 30 vjetësh në vende post-komuniste, gjyqësori le shumë për të dëshiruar? Në disa raste është e nevojshme që të pranohen përjashtime, siç ishte rasti në Shqipëri, ku korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend e bëri të nevojshëm Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i Venecias e pranoi këtë nevojë me kusht dhënien e garancive të duhura. Pa vlerësimin tonë pozitiv, gjykatat shqiptare, sipas gjasave, do ta kishin vrarë këtë proces”.
Përfaqësuesi i operacionit të monitorimit ndërkombëtar, OMN, Theo Jacobs ka shpjeguar funksionimin e procesit të Vettingut dhe ka prezantuar rezultatet e tij. Për Jacobs, Vettingu merr kohë:
Theo Jacobs: “Dua të theksoj faktin që procesi i Vettingut po shkon vërtet thellë. Në instancën e parë janë kaluar 111 raste, 18 prej tyre janë në procesin e apelit, 48 janë konfirmuar dhe 46 janë rrëzuar. Kjo do të thotë që gjysma e personave janë rrëzuar nga detyra. Janë 70 largime. Gjykata Kushtetuese, që duhet të përbëhet nga 9 gjykatës; vetëm një është konfirmuar, 8 janë rrëzuar. Gjykata e Lartë, që duhet të përbëhet nga 18 gjykatës, vetëm 3 janë konfirmuar, 15 janë rrëzuar. Pra, po bëhet një proces me rrënjë. Procesi i Vettingut në këtë mënyrë merr kohë, kërkon përgatitje. Ne duhet të fillonim nga fillimi dhe ndaj një proces i tillë kërkon një fazë të gjatë përgatitje”.
Dëgjesa publike mbi plotësimin e kritereve të Kopenhagës është organizuar nga komisionit parlamentar i punëve të jashtme dhe atij të lirive themelore të Parlamentit Europian./abcnews.al