Kryeministri Edi Rama, në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Vlorë, theksoi se drejtësia për vrasjet e 21 Janarit mund të vonojë por nuk do të mungojë. Kreu i qeverisë shtoi se së pari, për këtë ngjarje duhet të përgjigjen “ata që urdhëruan hapjen e zjarrit me plumba të vërtetë mbi njerëz të pafajshëm”.
“Nëse sot, ka një arsye për t’u ndjerë disi të lehtësuar në raport me 21 Janarin, për të cilin ne kemi pasur që në krye të herës barrën që t’i hapim rrugë drejtësisë është se sot, edhe pse do të kërkoj ende kohë, ta shikojmë drejtësinë të bërë për 21 Janarin, e shikojmë që e para rruga e drejtësisë është hapur dhe e dyta, sot është shumë e qartë që drejtësia për 21 Janarin, mund të vonojë edhe ca por nuk ka për të munguar. Ajo që ndodhi në gjykatën e të drejtave të njeriut është historike dhe kush e ka lexuar vendimin, ka parë që gjykata e të drejtave ka formuluar ekzaktësisht atë që unë dhe të tjerë kemi thënë që në krye të herës, 21 janari është një krim shtetëror dhe për krimin shtetëror duhet të përgjigjen jo vetëm ata që tërhoqën këmbëzën e pushkës por në radhë të parë, ata që urdhëruan hapjen e zjarrit me plumba të vërtetë mbi njerëz të pafajshëm. Dhe si e hapëm ne rrugën e drejtësisë, e hapëm duke bërë reformën në drejtësi.”, tha Rama.
Kreu i qeverisë ju dha një lajm të mirë pensionistëve të cilët edhe këtë vit do të marrin shpërblim për festa. Rama tha se kishte marrë ankesa se kryebashkiaku i Vlorës po punëson demokratët. Logjikën e akuesve Rama e quajti të gabuar duke nënvizuar se demokratët, nëse janë të zotë, s duhet të lihen në rrugë vetëm për shkak të bindjeve politike./abcnews.al