“Drejtësi për Jonadën”, qytetarët dalin sërish në protestë, telefonojnë Ramën për t’i kërkuar shkarkimin e ministrave

schedule20:16 - 8 Gusht, 2022

schedule 20:16 - 8 Gusht, 2022

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar mbrëmjen e së enjtes, qytetarët janë mbledhur sërish para Ministrisë së Drejtësisë, për të protestuar pas ngjarjes së rëndë të javës së shkuar ku në plazhin e Potamit në Himarë u vra 7-vjeçarja Jonada Avdia, e cila u përplas nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase.

Qytetarët i vendosën afat kryeministrit që deri ditën e sotme të largonte nga detyra Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

Por pavarësisht kërkesës së qytetarëve, kryeministri Edi Rama nuk bëri asnjë lëvizje.

Edhe gjatë mbrëmjes së sotme qytetarët janë mbledhur fillimisht para Ministrisë së Brendshme, për të vijuar më pas drejt kryeministrisë dhe Presidencës.

20:44- Qytetarët e telefonojnë nga protesta për t’i kërkuar shkarkimin e ministrave, Rama nuk përgjigjet

Qytetarët kanë telefonuar kryemninistrin Edi Rama nga protesta për 7-vjeçaren Jonada Avdia, që u vra në Himarë.

Pedagogia dhe e afërmja e vogëlueshes, Ilirjana Kuçana, ka telefonuar “live” Ramën, por ai nuk është përgjigjur.

“Po telefonojmë live kryeministrin për t’i kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm dhe asaj të Turizmit. Rama nuk e hap telefonin. Ai nuk është kryeministri i popullit, por ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për Jonadën në cdo institucion. Ne do të ndërmarrim një peticion në gjithë shqipërinë, duke i kërkuar Kryeministrit të vendit të shkarkojë Kumbaron dhe Çuçin. Këtë do ta bëjmë për Jonadat e tjera të Shqipërisë. A  duhet që në këtë vend të mbahet përgjegjësi”, tha Kuçana. /abcnews.al

20:32- Vijon protesta për Jonadën, qytetarët ulen në Bulevard, fëmijët me pankarta në duar në shkallët e Kryeministrisë

Qytetarët kanë vijuar protestën për vrasjen ne 7-vjeçares Jonada Avdia në Himarë, nga ish-polici Arjan Tase.

Ata kanë marshuar nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë, ashtu siç bënë edhe protestën e parë.

Qytetarët janë ulur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa një grup fëmijësh janë ulur në shkallët e Kryeministrisë me pankarta në duar.

20:25- “Drejtësi për Jonadën”, protestuesit lyejnë me “gjak” muret e Ministrisë së Brendshme

Prej orës 19:30 qytetarët ashtu siç edhe e kishin paralajmëruar kanë nisur protestën para Ministrisë së Brendshme.

Edhe gjatë ditës së sotme ata kanë kërkuar drejtësi për Joanda Avdian, e cila u vra ndërsa po luante në breg të detit në plazhin e Potamit në Himarë, nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase.

Në shenjë proteste q1ytetarët kanë lyer muret e Ministrisë së Brendshme me bojë të kuqe, si shenjë për të reaguar fort pas gjakut që uniformat blu po u marrin qytetarëve.

Siç shihet edhe në videon e gazetares së Abc, Erneta Shevroja, muret e jashtme të Ministrisë janë spërkatur me bojë të kuqe.

20:16- “Sot të gjithë shqiptarët janë prindërit e Jonadës”, i afërmi i 7-vjeçares prek me fjalët para Ministrisë së Brendshme

Protestës së qytetarëve para Ministrisë së Brendshme pas ngjarjes në plazhin e Potamit në Himarë, i janë bashkuar edhe të afërm të 7-vjeçares Jonada Avdia, e cila u vra nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase.

Një kushëri i Jonadës ndërsa mori fjalën para protestuesve tha se Jonada para ngjarjes kishte dy prindër, ndërsa sot të gjithë shqiptarët janë prindërit e saj, duke ju referuar qëndrimeve që qytetarët mbajtën pas ngjarjes së rëndë.

“Jonada kishte dy prindër, në fakt ajo i ka ende dy prindër, por pas asaj që ndodhi sot të gjithë shqiptarët janë prindërit e Jonadës”, u shpreh kushëriri.

19:59- “Drejtësi për Jonadën! Heshtja është bashkëpunim në vrasje”, qytetarët në protestë me pankarta në duar

“Drejtësi për Jonadën”, “Heshtja është bashkëpunim në vrasje”, këto kanë qenë disa nga shkrimet në pankartat që mbanin qytetarët në duar ndërsa protestonin para Ministrisë së Brendshme, pas ngjarjes tragjike të një jave më parë në plazhin e Potamit në Himarë.

Qytetarët edhe mbrëmjen e sotme para Ministrisë së Brendshme kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Bledi Çuçi, Ministres së Turizmit Mirela Kumbaro dhe atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

Sipas qytetarëve këta janë krerët e tre institucioneve përgjegjëse të cilët duhet të kishin mbrojtur jetën e Jonadës 7-vjeçare e cila u mora nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase.

19:53- “Duhet të jepni dorëheqjen”, qytetarët në protestë: Duam drejtësi për Jonadën

Qytetarët janë mbledhur sërish mbrëmjen e sotme në protestë para Ministrisë së Brendshme, pasi kërkojnë drejtësi për Jonada Avdian, e cila u vra të martën e kaluar në plazhin e Potamit në Himarë, pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase.

Ashtu si një javë më parë qytetarët kanë kërkuar sërish dorëheqjen e Ministritë të Brendshëm Bledi Çuçi, të Ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe atë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

Sipas qytetarëve kryeministri Rama në vend të propagandës për turizmin, duhet të shkarkojë menjëherë drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, ata që nuk arritën dot të mbronin jetën e Jonadës 7-vjeçare.

“Shembulli i parë që duhet të jepje do të ishte dorëheqja jote. Ministri Çuçi, drejtori i përgjithshëm i Policisë bëtë propagandë, por ne dështuam. Nëse ju nuk menaxhoni vartësit tuaj, si do të menaxhoni popullin. Ju duhet të jepni dorëheqjen”, u shpreh një nga qytetaret në protestë.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!