Dramë e vërtetë rezultoi të ishte ndeshja mes Shqipërisë dhe Kroacisë, e luajtur në Hamburg, që përfundoi me rezultatin 2-2.
Ish futbollisti i kombëtares, Altin Rraklli thotë se kjo ishte ndër ndeshjet më të bukura që Shqipëria ka zhvilluar vitet e fundit.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Rraklli u shpreh se trajneri Sylvinho, i kreu me vonesë zëvendësimet.
Ndërsa menaxheri i futbollit, Dritan Gjyrezi deklaroi se për nga mënyra se si shkoi ndeshja, kombëtarja shqiptare humbi dy pikë përballë asaj kroate.
Pjesë nga diskutimi
Altin Rraklli: Ne sot kemi bërë një nga ndeshjet më të bukura, sidomos sa i përket grintës së skuadrës, angazhimit gjatë gjithë kohës. Një nga më të mirat e viteve të fundit. Ka ana taktike, kishte dy tablo. Pjesën e parë e bëmë në mënyrë perfekte. Kundërsulmuam si një skuadër e madhe. Duhet t’i kishin zgidhur më mirë situatat e rasteve, ta kishin dyfishuar rezultatin. Në pjesën e dytë pamë një tablo tjetër. Një skuadër që i ra potenca fizike, derisa u bënë zëvendësimet. Zëvendësimet erdhën pak me vonesë, duhet të kishte reaguar pak më herët trajneri. Ato 10 minutat e fundit, me zëvendësimet dhe presionin që i krijuam Kroacisë, më dha ndjesi të jashtëzakonshme.
Dritan Gjyrezi: Sot pashtë një Kroaci shumë të lodhur në krahasim me Kroacinë që ishte me Spanjën. Kroacia është ndër 5 skaudrat më të mira të botës, pavarësisht së është në rënie. Deri para ndeshjes, nuk e besoja se mund ta merrnim një barazim. Patëm një pjesë të parë shumë të mirë, por si shkoi loja, mendoj që humbëm dy pikë. Mendoj që zëvendësimet erdhën me vonesë. Por barazimi me Kroacinë, për mua, është rezultat pozitiv për kombëtaren tonë.